Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, po jetësohet me ritme të shpejta.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga nga ky kantier ku kanë përfunduar afro 88% e punimeve.

Rama shprehet se “tuneli i Llogorasë drejt finalizimit, që këtë verë ju çon në jug sa hap e mbyll sytë”.

Kreu i Ekzekutivit thekson se  “bashkë me aeroportin e ri të Vlorës do t’i shtojnë industrisë së re të turizmit dy motorë vendimtarë për Shqipërinë 2030 kampione në rajon”.

Deri tani ka përfunduar puna për betonimin e tunelit kryesor në të gjithë gjatësinë e tij, ndërsa po vijohet për për vendosjen e sistemit elektromekanik dhe sistemin e ndriçimit.

Paralelisht po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e qendrës së monitorimit të tunelit.

Tuneli kryesor, 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, do të jetë i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare  si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët./ata