Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar nisjen e punimeve për zgjerimin e rrugës ekzistuese të Ksamilit. Ky aks rrugor, që në sezonin turistik është tejet I mbingarkuar, do të kthehet në një rrugë me tre korsi kalimi, me trotuare nga të dyja krahët dhe korsi biçikletash në krahun e djathtë.
Aktualisht, punimet konsistojnë në gërmimin për hapjen e trasesë dhe pastrimin e vegjetacionit të trupit të rrugës. Sipas ARRSH, përfundimi i këtij projekti do të lehtësojë trafikun e mjeteve përgjatë sezonit turistik duke shtuar edhe numrin e turistëve vendas e të huaj që duan të vizitojnë Ksamilin.
Por, çfarë parashikon projekti në detaje?
Më konkretisht, projekti fillon në hyrje të fshatit Ksamil dhe përfundon në dalje të fshatit duke krijuar By-Pass në anën lindore. Projekt-zbatimi i këtij segmenti është bërë në përputhje me parametrat teknikë të rrugëve të Kategorisë C (Rrugë Interubane Dytësore), me shpejtësi lëvizjeje 80 km/h.
Projekt-zbatimi fillon rreth 1.4 km para hyrjes së fshatit turistik të Ksamilit. Rruga nacionale ekzistuese Sarandë-Ksamil sot paraqet problematika të mëdha, sidomos gjeometria e saj. Rruga ekzistuese kalon në mes të fshatit turistik duke sjellë një rëndim te trafikut më së shumti në kohën e sezonit turistik. Duke qenë se është një rrugë në të cilën nuk është investuar së fundmi, ajo ka pësuar dëmtime të shtresave.
Përgjatë këtij segmenti rrugor janë parashikuar 3 rrethrrotullime dhe 1 urë. Gjerësia e urës së re do të jetë 17.4 metra, ka 2 korsi 3.50 metra, bankinë të asfaltuar 2.0 metra në të dyja anët dhe trotuar 3.2 metra në të dyja anët.
Kontrata me bashkimin e tre kompanive që do të kryejnë punimet është lidhur më 18 korrik 2024. Punimet pritet të zgjasin 24 muaj nga data e lidhjes së kontratës, ndërsa vlera financiare është 1 miliard e 715 milionë lekë./Scan