Zgjerimi i investimeve në sistemin e ujitjes dhe kullimit në sektorin e bujqësisë mbetet prioritet i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në relacionin e Projektbuxhetit 2025, të publikuar nga Ministria e Financave, theksohet se, në fushën e “Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit”, përmes investimeve që do të ndërmerren në periudhën 2025-2027, synohet të realizohet: Rritja e përqindjes së fermerëve që përfitojnë nga përmirësimi i infrastrukturës ujitëse dhe kulluese ndaj totalit të fermerëve në sipërfaqen potencialisht të ujitshme nga 75% në vitin 2024, në 78% në vitin 2027.
Sipas programit të investimeve do të financohet në rehabilitimin, ndërtimin dhe rikonstruksionin e hidrovorëve, kundrejt totalit të nevojshëm (14 hidrovorë) nga 75% në vitin 2024, në 80% në vitin 2025, në 85% në vitet 2026-2027.
Ndërkohë që përqindja e sipërfaqes kulluese, përmes pastrimit të rrjeteve kryesore që kryehet 1 herë në 5-6 vjet, kundrejt sipërfaqes potencialisht të kullueshme (280 000 ha) nga 20% në vitin 2024 do të rritet në 22% në vitin 2027.
MBZHR parashikon investime edhe në veprat e mbrojtjes kundër përmbytjeve.
Projektbuxheti 2025 parashikon financim për rritjen e numrit të veprave të mbrojtjes nga përmbytja të rehabilituara/ndërtuara (argjinatura gjatësore dhe penele tërthorë), nga 38 vepra në 2024, në 48 vepra në 2025-2027./ata