Në Censin e vitit 2023 rezultoi se pjesa më e madhe e popullsisë së Shqipërisë, rreth 99,3%, jeton në njësi ekonomike familjare private, të njohura si banesa, ndërkohë 0,7% janë anëtarë të banesave kolektive.

Në cens u mblodh informacion jo vetëm mbi numrin e banesave të zakonshme, por edhe për karakteristikat e tyre, duke përfshirë shërbimet bazë, sipërfaqen e përdorur për banim dhe periudhën e ndërtimit.

Censi 2023 numëroi 1.082.529 banesa të zakonshme. Shtëpitë individuale përfaqësonin 47% të këtyre banesave, ndërsa 39,9% e tyre janë pallate.

Një kategori e vogël e banesave janë banesa pjesërisht të veçuara (8,1%) dhe shtëpi në rend tarracor (5%).

Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325, ose 67,1% banesa të banuara, duke vlerësuar 32,9% të banesa të zakonshme të pabanuara.

Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3% për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4% për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8%.

Përafërsisht në përqindje të barabarta, banesat e zakonshme ishin ndërtuar në periudhën që nga viti 2001, 36,4%, dhe në periudhën 20-vjeçare 1981-2000 rreth 37,5%, ndërkaq rreth një e katërta, ose 26,1% ishin ndërtuar para vitit 1981.

Për banesat e zakonshme të banuara, sipërfaqja e përdorur ishte një ndër informacionet e mbledhura e cila do të shërbejë për të analizuar “mbipopullimin e banesave”.

Të dhënat treguan se pothuajse gjysma e këtyre banesave ose 47,1% kishte një sipërfaqe të përdorur prej 40-69 m2 dhe rreth një e katërta, ose 23,7% kishin një hapsirë të dobishme prej 70-99 m2./ata