Projektbuxheti i vitit 2025 adreson mbështetje për 8 programe të rëndësishme në zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.
Sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2025, publikuar nga Ministria e Financave, në fokus të mbështetjes është fermeri dhe zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë rurale.
Konkretisht, prioritetet në sektorin e bujqësisë, janë: Garantimi i sigurisë ushqimore, shëndeti dhe mirëqeniea e kafshëve, shëndeti i bimëve përmes adoptimit të standardeve përkatëse të BE-së në kuadrin normativ vendas; Konsolidimi i pronësisë mbi tokën bujqësore, administrimi i qëndrueshëm, ruajtja e saj nga dëmtimi, gërryerja, shpërdorimi dhe faktorë të tjerë; Nxitja e tregut të tokës dhe konsolidimi i fermës bujqësore duke rritur sipërfaqen dhe nxitur kooperimin.
Gjithashtu, në pr/buxhetin 2025 vend të rëndësishëm zë mbështjetja për agroindustrinë; Mbështjetja për tregjet dhe marketingun e produkteve bujqësore dhe blegtorale; Administrimi i sistemit të ujitjes nëpërmjet kujdesit, sigurimit dhe administrimit të qëndrueshëm të sistemit të ujitjes dhe shmangia e përmbytjeve.
Projektbuxheti 2025 adreson mbështetje financiare dhe asistencë teknike për fermerët.
Ndërkohë që program i veçantë i kushtohet edhe peshkimit.
“Zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të peshkimit dhe akuakulturës, shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve peshkore dhe kapaciteteve të flotës së peshkimit si dhe ngritjen e një sistemi kontrolli dhe inspektimi për peshkimin në det, në tokë dhe në të gjithë zinxhirin e tregut”, citohet në relacionin që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2025, publikuar nga Ministria e Financave.
Bujqësia është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë tonë dhe vitet e fundit po vijon të rrisë në mënyrë të qëndrueshme kontributin e saj në PBB, duke rritur forcën e angazhuar në punë në sektorin rural në nivelin 33.9 % të totalit të të punësuarve në shkallë vendi./ata