Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilloi sot një takim me drejtues të administratës tatimore si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit për të diskutuar çuarjen përpara të procesit të derregullimit.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se përmes derregullimit, synohet që të lehtësohen dhe thjeshtëzohen shërbimet e ofruara nga institucionet publike ndaj bizneseve dhe qytetarëve.
“Qëllimi është i qartë, shkurtimi i kohës për marrjen e përgjigjes, më pak shkresa dhe më pak procedura burokratike me autoritetet tatimore”, tha ajo.
Rregulla të shumta për biznesin mund të pengojnë sipërmarrjen dhe të ulin investimet, prandaj derregullimi konsiderohet një reformë e rëndësishme për përmirësimin e klimës së investimeve dhe treguesit e Raportit ‘Doing business’.
Derregullimi i referohet ndryshimeve që përmirësojnë cilësinë rregullatore për të rritur performancën ekonomike, efektivitetin e kostos, apo cilësinë ligjore të rregullave dhe formaliteteve përkatëse institucionale.
Qëllimi i tij është të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve në marrëdhëniet me administratën, për të ulur në maksimum burokracinë sigurisht për t’i kursyer biznesit burime financiare dhe njerëzore./ata