Në kuadër të ciklit të leksioneve të hapura “Netët e Muzeut”, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi leksionin e radhës nga profesori i mirënjohur Niko Pano.

Pano është Doktor i Shkencave Ekonomike, lektor i teorive të mendimit ekonomik, marketingut, promocionit, sipërmarrjes dhe biznesit të vogël, në disa universitete të vendit.

Aktualisht është lektor në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Departamentit të Ekonomisë, në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë; njëkohësisht Zëvendës Rektor dhe përgjegjës për punën shkencore pranë UMSH. Prezantimi i profesor Panos u përqendrua në çështje kyçe të sjelljes financiare dhe zhvillimit personal, duke shtjelluar ndikimet e sjelljes, përvojave personale dhe vendosjes së qëllimeve afatgjata financiare në lidhje me suksesin financiar.

Leksioni u ndal edhe në konceptet e “mjaftueshmërisë” dhe “lirisë ekonomike” që mund të ndihmojnë në arritjen e një qëndrueshmërie financiare.

Leksioni u çel me një përshëndetje nga zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, e cila theksoi se Muzeu i Bankës së Shqipërisë ndër vite ka pritur vizitorë të shumtë, kryesisht nxënës dhe studentë.

Përmes leksioneve të “Netëve të Muzeut” sillen këndvështrime të ndryshme nga personalitete të spikatura në fushat e numizmatikës, historisë bankare, ekonomike, edukimit financiar, por edhe disiplinave të tjera si filatelia, arti dhe arkitektura, duke i dhënë mundësinë vizitorëve të dëgjojnë leksione interesante, të vizitojnë Muzeun pas orarit zyrtar të punës së Bankës, por edhe të përfitojnë nga njohuria dhe ekspertiza e lektorëve të ftuar.

Synohet që Muzeu i Bankës së Shqipërisë, të mos jetë vetëm një vend ku vihet për të shijuar një ekspozitë, por edhe një vend ku mund të shkëmbehen mendime e ide./ata