Në Bulqizë është inauguruar Qendra e parë Ditore për Pensionistët në këtë qytet, një projekt që i dedikohet posaçërisht komunitetit të moshës së tretë dhe do të ofrojë një sërë shërbimesh.

Lajmin e bëri me dije ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndërsa në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryetarja e bashkisë Festime Mjeshtri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se kjo është qendra e parë e këtij lloji në Bulqizë, që i dedikohet posaçërisht komunitetit të moshës së tretë dhe do të ofrojë një sërë shërbimesh.

“Deri më tani, nuk ka ekzistuar asnjë hapësirë e dedikuar për të moshuarit, dhe kjo qendër vjen për të plotësuar këtë nevojë të rëndësishme.

Ajo ofron një sërë shërbimesh, përfshirë kontrolle shëndetësore të rregullta nga mjekë dhe infermierë të qendrës shëndetësore të qytetit, kafe dhe ujë falas, një kënd për lexim me libra dhe shtyp ditor, si dhe hapësira për aktivitete të ndryshme ku mund të kalojnë kohën e lirë”- shkruan Gonxhja.

Ministri gjithashtu njoftoi se gjatë vizitës u diskutua edhe për “skemën e re të pensioneve – një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një mbështetjeje më të drejtë dhe humane për të gjithë gjyshërit tanë, dhe një hap tjetër drejt Shqipërisë 2030.”/ata