Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në “arrest me burg”, ka kritikuar qeverinë për trajtimin e pensionistëve, duke theksuar se gjatë tre mandateve, nuk ka bërë asnjë rritje reale e pensioneve.
“Në tre mandate askush nuk e pengoi Edi Ramën të rriste realisht pensionet. Në 11 vite në pushtet ai i varfëroi gjithmonë edhe më shumë pensionistët, që sot janë kategoria sociale më e diskriminuar, më e përjashtuar dhe më e varfër e shoqërisë”- shkruan Meta.
Meta thekson se rritja e pensioneve duhet të kishte qenë së paku në përputhje me inflacionin.
“Qeveria do të duhej të rriste nivelin e pensioneve të paktën 9.4% apo të barabartë me nivelin e inflacionit për artikujt ushqimorë për të mos lejuar përkeqësimin e kostos së jetesës”- shkruan Meta.
Ai shton se pensionistët janë më të varfër se para ardhjes së “Rilindjes” në pushtet.
“Pensionistët shqiptarë sot janë më të varfër se në vitin 2013 kur ‘Rilindja’ erdhi në pushtet”- shkruan Meta.
Meta nënvizon se dyfishimi i pensioneve është një prioritet i Partisë së Lirisë.
“Ne i jemi përulësisht mirënjohës brezit që ka bërë kaq shumë për Shqipërinë, ndaj dhe dyfishimi i pensioneve është jo vetëm një nga 5 Prioritetet tona madhore, por një domosdoshmëri. Partia e Lirisë në qeverisje do të bëjë të mundur dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e tyre të barabartë me mesataren e rajonit, bazuar në nivelin e rritjes reale ekonomike. Indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë.”- shkruan Meta./ata