Deputetja Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka ndërmarrë një iniciativë ligjore për një paketë të plotë në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në sektorin bankar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se “prej disa javësh, shqiptarët janë përballur me realitetin e trishtë që u ka marrë bashkëqytetarëve pronat, kursimet dhe, fatkeqësisht, edhe jetën”.
“Një grup përmbaruesish, mbledhësish të kredive të këqija dhe përfitues imoralë të një legjislacioni me shumë boshllëqe mbledhin kambialet e borxhlinjve duke përdorur dhe shfrytëzuar në maksimum vuajtjet dhe nevojat e tyre. Të njëjtët persona menduan boshllëqet ligjore të mikrokreditimit dhe licencimit të shoqërive të borxhit të keq si një hapësirë ligjore abuzive. Përfituan nga mungesa e rregullimit të një zone gri, që kishte hapur një derë abuzimi, për të shpartalluar të ardhurat e qytetarëve përmes kamatave abuzive dhe kriminale, që kalonin nivelin e borxhit. Duke përdorur mbi të gjitha hapësirën ligjore dhe një fushë tërësisht të paorientuar në mbrojtjen e konsumatorit, kësaj radhe kredimarrësit”, theksoi Tabaku.
Fatkeqësisht, sipas saj, “institucionet që duhet të mbikëqyrnin me imtësi të plotë situatën dhe të kontrollonin sjelljen e këtyre institucioneve financiare, si Banka e Shqipërisë, bënë sikur nuk e panë situatën”.
“Një sjellje që nuk ngrihet aspak në lartësinë e detyrës që ka institucioni i Bankës së Shqipërisë dhe akoma më tej luajti një ping-pong të pandershëm me institucionet e tjera. Një sjellje që e pamë edhe në raportimin e guvernatorit në Parlament. Natyrisht, që një vepër e tillë penale ka qenë tejet e sofistikuar, duke shfrytëzuar në maksimum heshtjen e parlamentit, që nuk ka mundur të propozojë ligje që e rregullojnë këtë çështje; të një qeverie që sjell me kamionë ligjet me porosi dhe përdor çdo deputet të mazhorancës për të propozuar një ligj për interesa oligarkie, por që nuk u kujtua aspak për një nevojë të tillë; të boshllëkut ligjor që ofron Banka e Shqipërisë dhe mospërfilljes jo kokëçarëse dhe deri menefregiste që na dhuroi Ministria e Drejtësisë”, shtoi ajo.
Duke folur për iniciativën e ndërmarrë prej saj, Tabaku tha se ajo ka për qëllim vetëm mbrojtjen e kredimarrësve nga praktikat grabitqare të huadhënies dhe veprimeve kriminale që nënkupton edhe përafrimin e gjithë legjislacionit për shërbimet financiare.
“Do të angazhoj energjitë në atë që mendoj dhe besoj se është detyra parësore e Kuvendit: mbrojtja e qytetarëve dhe interesit të tyre. Me të njëjtin pasion si në rastin e mbrojtjes së interesit kur u zbulua afera e inceneratorëve apo dedikimit të mbrojtjes së interesit të shtresës së mesme me ligjin antikushtetues të taksimit të profesioneve të lira.
Kjo nismë ka në thelb përshtatjen dhe jo vetëm një ligj për mikrokreditë, financimin e FinTech dhe kamatës sipas standardeve të Bashkimit Europian”, theksoi ajo.
Sipas Tabakut kjo nismë i shërben domosdoshmërisht një tregu të etur për rregull dhe sundim të ligjit.
“Një nismë që besoj dhe shpresoj se do të gjejë mbështetjen tek kolegët e mi të të dyja anëve të ishullit politik parlamentar. Detyra e një deputeti në Kuvend është që të mbrojë interesat e publikut dhe njëkohësisht të jetë pararojë dhe të propozojë ndryshime ligjore apo ligje të reja për ta mbrojtur këtë interes. Prandaj, së bashku me një grup specialistësh që janë bipartizanë, kam ndërmarr, që prej fillimit të këtij muaji një nismë që do të kurorëzohet në javët në vijim për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve në fushën e shërbimeve financiare”, theksoi ajo./ata