Ministria e Jashtme e Greqisë, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Selanik, në takimin me shqiptarët.

“Historia midis dy vendeve nuk ndryshon”, tha Ministria e Jashtme në përgjigje të deklaratave të Ramës, duke iu referuar fjalës së kryeministrit shqiptar kur tha se disa individë ishin angazhuar në protestë kundër ardhjes së tij, duke përdorur fletushka dhe  parulla që lidhen me termin e “Vorio Epirit”.

“Vorio Epiri eshte nje term i vdekur”, deklaroi Rama në takim.

Ministria e Jashtme greke shprehet se kërkon respektim të të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri, si kusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

 “Historia midis dy vendeve nuk ndryshon, prandaj është i nevojshëm respekti i plotë nga ana e Shqipërisë, të të drejtave të minoritetit etnik grek, citon CNN grek.

Ky përbën një kusht eksplicit për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të datës 11 tetor 2024”, thuhet në deklaratë.

Në Selanik, ku më 3 nëntor u prit nga mijëra shqiptarë, Rama mesazhin e parë e kishte për ekstremistët, që bënë edhe një protestë kundër vizitës së tij. Rama i quajti fosile, ndërsa tha se ‘Vorio-Epir’ është nocion i vdekur. Kryeministri foli për marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve, ndërsa një vëmendje të veçantë i dha edhe reformës në drejtësi./Shqiptarja