Ditët e ngjeshura të Prokurorisë së Posaçme që hetojnë krimet e zyrtarëve të lartë vijojnë. Ekspertët e BKH-së morën sot në pyetje deputetin demokrat Asllan Dogjani në hetim pasuror.
Për gati 2 orë Dogjani dha shpjegime për shtëpinë 100 metra katror që ka blerë në 2006. Sipas Dogjanit kallëzimi u bë nga ndërtuesi Ilrijan Çelaj, të cilin ai e quan 'zaptues' pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapsirës publike para pallatit ku banon duke e kthyer në parkim me pagesë.
“Po më hetojnë për shtëpinë 100 metra katrorë që kam këtu. Kam 20 vjet që jetoj atje me 3 kalamaj. Më ka kallëzuar ndërtuesi Ilirjan Çela, tha Dogjani.
Dogjani thotë se procedimi ka nisur si hakmarrje ndaj denoncimit që ka bërë më parë për zaptimin e një prone publike nga ndërtuesi pranë pallatit të tyre. Dogjani akuzoi Ramën se nuk po lufton krimin por po i ndërsen SPAK deputetëve të PD-së. Ndërsa flet dhe për një konflikt me ndërtuesin e pallatit ku ai banon.
Edi Rama në vend që të sulë policinë e SPAK ndaj krimit po i sul ndaj deputetëve të opozitës. Edhe ndaj medias që mund të jetë kritike bën gjithçka për t’I mbyllur gojën. Jam tek SPAK për një denoncim që kam bërë që nuk kam pranuar të hesht për grabitjen e pronës publike në Tiranë. Konkretisht bëhet fjalë për një pallat të ndërtuar në 2006. Ndërtuesi, zaptuesi në vend që të legalizonte pallatin për 20 vite, dhe i la banorët pa legalizuar, ka legalizuar në mënyrë të kundraligjshme ish kopshtin publik nr 33 dhe 210 metra katror tokë. Jo vetëm kaq, ky na ka zaptuar dhe pjesën tjetër që ishin planifikuar për lulishte e zaptuesi e përdor për parking privat prej 20 vitesh.
Dogjani thotë se atë që e quan grabitje të pronës publike i ka dërguar shkresë edhe bashkisë e kryeministrit, dhe se aktualisht janë në proces gjyqësor në apel.
Ne si banorë iu drejtuam kallëzimit penal. Kemi bërë ankesa në prokurori e SPAK. Kjo tokë ka qenë me pronar. U është njohur e drejta por nuk u është kthyer se do të bëhej kopsht e lulishte. Jemi në gjyq në gjykatën e Apelit. Meqe ne bëmë këto ankesa, iu drejtuam edhe Kadastrës. Ajo vetë mori një vendim anuloi legalizimin. Një tokë publike nuk mund të tjetërsohet. Unë kam komunikuar edhe me kryetarin e bashkisë, edhe me vetë Edi Ramën. I kam thënë se janë marrë hapësira publike dhe janë bërë parkingje. Ka ardhur edhe vetë ministri Balla dhe ka thënë që do ta ndjekim. Tani mora vesh që ky mashturesi paska kushëri një deputet. Rama dhe Veliaj e organizojnë kurthin dhe i thonë këtij zaptuesit kallëzoni Asllanin për pasurinë"
Pak ditë më parë në SPAK u paraqit deputeti tjetër demokrat Luan Baçi edhe ai në hetim pasuror pasi akuzohet nga ish ortaku se pastroi e fshehu 1.5 mln euro./Shqiptarja