Deputeti i PD, Gazment Bardhi ka reaguar për arrestimin e ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se ky i fundit është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.

 

Bardhi tha se ky është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Nëpërmjet një shkrimi në facebook, Bardhi bën me dije se i është drejtuar SPAK-ut duke i kërkuar nisjen e hetimeve për organizatë kriminale që sipas tij drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

 

Reagimi i plotë i Bardhit:

 

Miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, njeriu që drejtoi për dekada kundërzbulimin e FBI në Nju Jork, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista. Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA.

 

Korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politik është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikan  të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politik.

 

Sot i jam drejtuar zyrtarisht SPAK që të nis hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë :

 

1. Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë;

 

2. Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë;

 

3. Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

 

4. Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i struktutuar kriminal.

 

SPAK nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale. Mjafton të kërkojë zyrtarisht të plotë dosjen dhe provat pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias në SHBA. Drejtësia që hesht përballë fakteve është drejtësi e vdekur. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një drejtësi që vepron ndaj kujtdo dhe që i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.