Ura e Madhe e Kukësit është hapur sot për qarkullimin e automjeteve. Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ku u prit me këngë dhe valle.

“Ky investim i jep një përgjigje kuptimplotë të gjitha qyqeve që mbushën rrjetet sociale me vrer lajmesh të rreme, ndërkohë që po siguroheshin edhe akseset e komuniteteve përreth”, u shpreh Rama.

Ura e Madhe në Kukës është një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore në Kukës, që çliron përfundimisht trafikun duke u aksesuar edhe në komunitetet përreth.

“Është shumë e rëndësishme që ura hapet për të gjithë, edhe për ata që çfarë nuk thanë për urën, deri te lajmi nga penxherja që ju këputën këmbët urës. Ndërkohë që kjo nuk ka këmbë sepse e ka trupin të shtrirë përgjatë një hapësire drite, që është ndër më të mëdhatë e një ure në Eruopë”, tha Rama.

Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra. Ura do të ketë 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës.

Ura e harkuar me strukturë çeliku peshon rreth 5000 ton dhe nuk ka këmbë. Ajo ka kushtuar rreth 40 milion euro dhe konsiderohet një nga urat me hapësirën më të madhe në Ballkan në tipologjinë e saj. 

“Ura është një vepër e veçantë, jo vetëm nga ana si vepër arti, por edhe nga struktura dhe metodologjia e saj e punës. Ura në vetvete ka kushtuar e gjitha rreth 40 milionë euro përfshirë edhe dy rrugët e aksesit, të hyrjes e të daljes. Ura ka veçori të jashtëzakonshme sepse si urë është ndërtuar e gjitha jashtë dhe pas ndërtimit, ura është spostuar nëpërmjet lundrimit. Është shumë e veçantë, shumë e jashtëzakonshme, nga të rrallat mund të themi në Evropë të paktën, nga njohuritë që kemi sepse e bën të rrallë, niveli i liqenit i cili ndryshon për rreth 40 metra.” – shpjegoi inxhinieri, drejtues i punimeve.

Ura e re e Kukësit ka dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa në të gjithë gjatësinë e saj është konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme./Shqiptarja