Njerëzit që jetojnë në Bashkimin Evropian duhet të rezervojnë furnizime emergjente në rast lufte ose ndonjë rreziku tjetër të madh, këshillon një raport i ri.

Raporti mbi gatishmërinë civile dhe ushtarake të Evropës, i publikuar të mërkurën, më 30 tetor, është shkruar nga ish-presidenti finlandez Sauli Niinistö në cilësinë e këshilltarit special të presidentit të Komisionit Evropian. Raporti thekson se BE-ja nuk ishte e përgatitur as për pandeminë COVID-19 dhe as për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe se duhet të kalojë “nga reagimi në gatishmëri proaktive”.

Si pjesë e kësaj strategjie, BE-ja duhet të këshillojë familjet që të përgatiten për të qenë të vetë-mjaftueshëm për të paktën 72 orë në rast emergjence, thuhet në raport. Ai këshillon shtetet anëtare që, ndër të tjera, t’u ofrojnë qytetarëve të tyre udhëzime për grumbullimin, evakuimin dhe mënyrën e aksesit në shërbimet e urgjencës.

Raporti përmend nevoja të ndryshme themelore që duhet të kenë familjet në rast urgjence, duke përfshirë ushqime, pije dhe ilaçe, një elektrik dore dhe një radio me bateri, raporton Neësëeek.

Raporti prej 165 faqesh iu prezantua Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Qëllimi i tij është të përgatisë qytetarët e BE-së për situata emergjente, të cilat mund të përfshijnë pandemi të reja, kushte ekstreme të motit ose agresion ushtarak.

Pandemia e COVID-19 nxiti njerëzit në mbarë botën të blejnë dhe të grumbullojnë në një shkallë masive, duke rezultuar në mungesë të produkteve të caktuara. Edhe pse raporti nuk thekson agresionin rus si kërcënimin e vetëm të mundshëm, ai përmendet si një kërcënim i rëndësishëm.

“Ne nuk kemi një plan të qartë se çfarë do të bëjë BE në rast të agresionit të armatosur kundër një shteti anëtar”, thuhet në raport.

Raporti thekson se, ndërsa kërcënimi i agresionit rus ndihet më shumë nga fqinjët e saj, çdo veprim i Rusisë kundër një shteti anëtar të BE-së do të prekte të gjitha vendet anëtare. /tesheshi.com/