Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim homologun e saj nga Luksemburgu, Xavier Bettel.
Në një konferencë për media pas takimit dypalësh, ministrja Gërvalla tha se Kosova dhe Luksemburgu kanë miqësi të thellë dhe përkushtim për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe.
Ministrja kosovare tha se në rrugën drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO, vendet anëtare të vogla dhe të mëdha Kosova i konsideron si partnerë strategjik të posaçëm dhe ky partneritet “është kyç për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.
“Kur kemi Luksemburgun, një shtet i cili ka qenë ndër shtetet themeluese të BE-së, shpresojmë të fitojmë dhe mësojmë nga përvoja dhe përballimi i sfidave në BE”, theksoi Gërvalla.
Gërvalla tha se Luksemburgu ka ndihmuar që Kuvendit të Kosovës t’i mundësohet sistemi për votim në mënyrë elektronike.
Ministri Bettel tha se Kosova dhe Luksemburgu kanë raporte të mira dhe ndajnë vlera të përbashkëta.
Bettel tha se Luksemburgu si vend anëtar i Këshillit të Evropës do të ndihmojë në anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Me ju së bashku, e nderuara Donika, do të punojmë për t’i dhënë Kosovës vendin e merituar dhe gjithashtu mundësinë për t’u bërë një histori suksesi, të cilën e meriton”, theksoi Bettel.
Bettel shtoi se Luksemburgu dëshiron të investojë në Kosovë dhe për këtë arsye ai nuk po e viziton Kosovën vetëm formalisht, por edhe të njihet më hollësisht me projekte të ndryshme.
Ministri luksemburgas tha se Qeveria e Kosovës po bënë një punë të jashtëzakonshme për plotësimin e kritereve për anëtarësim në BE, por shtoi se kjo rrugë nuk është “vrap i shkurtër”, por një maratonë e gjatë./aa