Në Shqipëri është prezantuar Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE).
Strategjia do të shërbejë si dokumenti politik themelor që parashtron zotimet konkrete të të gjitha institucioneve përgjegjëse për thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në Qeverinë e Shqipërisë, Adea Pirdeni, gjatë fjalës së saj në aktivitet tha se qëllimi i strategjisë është që përmes një qasje të trefishtë të bazuar në parandalim, ndëshkim dhe ndërgjegjësim, të adresohen sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit.
"Takimi i sotëm shënon përfundimin e procesit të konsultimit publik të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit. Në fakt ky është fundi i një fillimi. Me përfundimin e këtij procesi ne do të fillojmë miratimin formal, për të finalizuar tashmë këtë dokument strategjik, që të hyjmë në një fazë të re, shumë më intensive dhe me ritme më të përshpejtuara të reformave në fushën e luftës kundër korrupsionit", tha Pirdeni.
Pirdeni theksoi se procesi i miratimit të kësaj strategjie, përkoi me një moment me rëndësi historike për rrugëtimin e Shqipërisë në BE, duke iu referuar hapjes së negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Hapjen e negociatave për grup-kapitujt e parë, ajo e konsideroi "edhe produkt i punës së palodhur të institucioneve".
"Në këtë fazë të zhvillimit të vendit, ky dokument strategjik është në linjë me përpjekjet për të forcuar standardet e mirëqeverisjes dhe modernizmit të mëtejshëm të gjithë aparatit tonë shtetëror", u shpreh Pirdeni.
Një fjalë përshëndetëse në aktivitet mbajti edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Sipas autoriteteve shqiptare, strategjia ka në fokus ndërmarrjen e një serie masash sistemike për konsolidimin e standardeve më të larta të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike dhe private në vend, me synim final ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët.
Gjithashtu theksohet se dokumenti vë theksin në përmirësimin e koordinimit efektiv mes të gjitha institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit./aa