Ekspozita e tretë e 10-vjetorit të "Istanbul Photo Awards", konkursit ndërkombëtar të fotografisë së lajmeve që organizohet nga Agjencia Anadolu (AA), u hap për vizitorët në Bruksel të Belgjikës.
Në Bruksel është hapur ekspozita e tretë e 10-vjetorit të "Istanbul Photo Awards" e cila mund të vizitohet që nga sot dhe e cila përbëhet nga punimet e të gjithë fotografëve që kanë marrë çmime në konkursin e këtij viti.
Në ekspozitë, vizitorët kanë mundësi të ekzaminojnë fotografitë që trajtojnë ngjarjet globale të vitit të kaluar, mund të shohin gjithçka nga sulmet e Izraelit në Palestinë deri te tërmeti në Türkiye i quajtur "Fatkeqësia e Shekullit", nga organizatat kriminale meksikane deri te kampet e refugjatëve në Afganistan, nga përdorimi i plastikës në Nigeri deri te habitatet e jetesës së elefantëve të kthyer në plehra në Sri Lanka, nga kampionati botëror i notit në Japoni deri te turneu i tenisit Wimbledon, nga diskriminimi në Indi deri tek emigrantët që humbasin jetën në ujërat spanjolle.
Në konkursin ku u vlerësuan fotografi teke dhe seri në fushën e lajmeve, sportit, mjedisit, portretit dhe jetës së përditshme, këtë vit aplikuan më shumë se 20 mijë fotografi. Në konkurs 32 fotografë fituan çmime në gjithsej 10 kategori.
- Ngjallin emocione të forta tek vizitorët
Ekspozita u prit me interes që në orët e para të hapjes.
Menaxheri i një hoteli të njohur që ka vizituar Brukselin nga kryeqyteti i Rumanisë, Bukuresht, Octavian Lazar tha për gazetarin e AA-së se e ka vizituar ekspozitën me bashkëshorten e tij piktore. "Na ka bërë shumë përshtypje gjithçka rreth veprave të artit në muret këtu", tha ai.
"Janë foto të shkëlqyera, të paimagjinueshme", tha Llazari duke shtuar se "Disa tema janë shumë të trishta. Kam parë foto për luftërat, për natyrën e shkatërruar nga njerëzit. Është shumë e trishtueshme, por në të njëjtën kohë jashtëzakonisht e bukur".
Meliha Yeşilot, e cila punon si koordinatore arsimore e Fondacionit Turk Maarif (TMV) në zyrën e Brukselit tha se "Këto fotografi na paraqiten si një dëshmi e përhershme e asaj që po ndodh në botë".
Ajo tha se fotografia që i bëri më shumë përshtypje ishte vepra e titulluar "Gruaja palestineze që përqafon trupin e vdekur të nipit të saj" nga fotografi palestinez Mohammed Salem, e cila u zgjodh si foto e vitit. "Ka emocione të ndryshme që fotot ngjallin tek ne. Ne kemi vështirësi të fshehim emocionet tona", thekson Yeşilot.
- Ekspozita do të jetë e hapur deri më 18 nëntor
Konkursi këtë vit u mbajt nën sponsorizimin e komunikimit nga Turkcell, sponsorizim për çmimin nga Sony, ndërsa sponsor për aktivitetet jashtë vendit është Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) si dhe Turkish Airlines (THY) sponsor për linjën ajrore.
Informacione rreth fotografive fituese të çmimeve mund të gjenden në adresën "istanbulphotoawards.com".
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët në Galerinë SR në Sablon midis 4-18 nëntor 2024./aa