Sipas dëshmitarëve okularë kolonët ilegalë izraelitë sulmuan sot fshatin palestinez Burqa në Bregun Perëndimor qendror dhe dogjën arat me ullinj.
Një grup kolonësh të paligjshëm i vunë zjarrin arave me ullinj në zonë dhe hodhën gurë në shtëpitë palestineze, duke shkaktuar përleshje me banorët lokalë, thanë dëshmitarët.
Sulmi vjen disa orë pasi kolonët e paligjshëm dogjën 20 automjete të palestinezëve pranë Al-Bireh në Bregun Perëndimor.
Ministria e Jashtme e Palestinës dënoi sulmet e kolonëve si "një zgjatje e gjenocidit (izraelit) dhe dëbimit që po ndodh kundër palestinezëve në Gaza".
Sipas shifrave palestineze, kolonët e paligjshëm izraelitë kryen rreth 1.490 sulme ndaj palestinezëve, tokave dhe pronave muajin e kaluar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Kudsin Lindor.
Të dhënat nga grupi izraelit kundër vendbanimeve "Peace Now" tregojnë se ka gjysmë milioni kolonë të paligjshëm në 146 vendbanime dhe 224 pika në Bregun Perëndimor.
Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka shkaktuar vdekjen e 43.400 palestinezëve, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023./aa