Partitë e koalicionit qeverisës, Partia Social Demokrate, të Gjelbërit dhe Partia Demokratike e Lirë, së bashku me partitë kryesore opozitare të Unionit të Krishterë, kanë arritur një marrëveshje në Gjermani për një rezolutë për të luftuar antisemitizmin.

Grupet në një deklaratë theksuan përgjegjësinë unike të Gjermanisë për të mbrojtur jetën e hebrenjve për shkak të Holokaustit.

Ata njoftuan një marrëveshje për një rezolutë të titulluar “Kurrë më nuk është tani: Mbrojtja, ruajtja dhe forcimi i jetës hebreje në Gjermani”, në përgjigje të Holokaustit dhe valës së fundit të incidente4ve antisemitike që nga 7 tetori i vitit 2023.

Deklarata po ashtu tha se duhet të ketë një sinjal të qartë kundër antisemitizmit nga “fraksionet e qendrës demokratike”.

Raportet e mediave gjermane thanë se rezoluta dënon të gjithë format e antisemitizmit, si dhe kërkon nga qeveria dhe autoritetet lokale të marrin masa konkrete për të luftuar urrejtjen kundër komuniteteve hebreje.

Në art dhe kulturë, rezoluta thekson se antisemitizmi nuk ka vend, duke kërkuar që organizatat ose projektet që përhapin antisemitizëm, vënë në pikëpyetje të drejtën e Izraelit për të ekzistuar duke bërë thirrje për bojkot ndaj Izraelit ose duke mbështetur në mënyrë aktive atë se lëvizja Bojkot, Shpërblim, Sanksione (BDS) nuk duhet të marrë fonde.

Rezoluta gjithashtu propozon miratimin e përkufizimit të Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin.

Ndërkaq, qeverisë federale i kërkohet të mbështesë shtetet në zbatimin e veprimeve disiplinore, të tilla si pezullimi ose përjashtimi nga shkollat ​​dhe universitetet, për studentët që kryejnë shkelje antisemitike.

Rezoluta gjithashtu kërkon një rishqyrtim të rregulloreve të universitetit për të mbështetur këtë përpjekje.

Po ashtu rezoluta kërkon shqyrtimin dhe ndalimin e mundshëm të organizatave dhe shoqatave përtej Hamasit që janë të lidhura me antisemitizmin.

Kërkon edhe mbylljen e boshllëqeve ligjore që lidhen me antisemitizmin në ligjet penale, imigracionin, azilin dhe shtetësinë.

Duke afirmuar të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje sipas ligjit ndërkombëtar kundër sulmeve që shkelin ligjin ndërkombëtar, rezoluta i bën thirrje qeverisë që të mbështesë në mënyrë aktive ekzistencën e Izraelit dhe interesat legjitime të sigurisë si një parim thelbësor i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë.

Ajo gjithashtu nxit përpjekjet e intensifikuara drejt një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete.

Rezoluta, e cila pritet të diskutohet dhe votohet në parlament javën e ardhshme, nuk ka fuqi ligjërisht të detyrueshme, por parashikohet të ketë ndikim politik./aa