Një anëtar i grupit palestinez Fatah është shprehur optimist lidhur me bisedimet në vazhdim me Hamasin për të formuar një komitet të përbashkët për të drejtuar Rripin e Gazës pas luftës brutale të Izraelit në enklavën palestineze.

Dje, Egjipti ishte nikoqir i bisedimeve midis dy grupeve palestineze për të diskutuar formimin e një komiteti të përbashkët për të drejtuar Gazën e pasluftës.

“Takimi synon të unifikojë vizionet për rindërtimin e Gazës dhe situatën në enklavë pas përfundimit të agresionit izraelit”, tha Taysin Nasrallah për Anadolu, një anëtar i Këshillit Revolucionar të Fatahut.

Nasrallah shprehu shpresën se një “formulë konsensusi” do të shpallet sot më vonë pas bisedime.

“Tendenca e përgjithshme shkon për rindërtimin e enklavës, ofrimin e ndihmës dhe menaxhimin e territorit në koordinim mes dy grupeve, nën kujdesin e Autoritetit Palestinez”, tha ai.

Pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli vazhdon ofensivën shkatërruese në Gaza që nga sulmi i vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.

Të paktën 43.300 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 102.100 të tjerë janë plagosur. Sulmet izraelite kanë shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Për veprimet në Rripin e Gazës, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./aa