Takimi i Parë Teknik i Agjencive të Sigurisë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor, Gjeorgji dhe Moldavi, zhvilloi punimet dje në Tiranë.

Takimi u organizua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Stamboll, UNDP Shqipëri dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) i Shqipërisë, në bashkëpunim me “Partneritetin Sllovak-UNDP” dhe “Partneritetin Çek-UNDP,” dhe kishte në fokus rrjetëzimin e Agjencive të Sigurisë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor, Gjeorgji dhe Moldavi.

Sipas njoftimit të PNUD, takimi teknik shërbeu si një platformë e rëndësishme për adresimin mangësive, duke ofruar mundësi për bashkëpunim rajonal për të forcuar kuadrin e sigurisë kibernetike. Përvoja e gjerë e UNDP-së në mbështetjen e politikave e pozicionon atë si një partner të vlefshëm për të ndihmuar ekonomitë e rajonit në përafrimin e legjislacionit të tyre të sigurisë kibernetike me ligjet evoluese të BE-së, veçanërisht për ato që janë në proces integrimi në BE.

Një karakteristikë e përbashkët ndërmjet Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjisë dhe Moldavisë është aspirata e tyre kolektive për anëtarësim në BE. Vitet e fundit, BE-ja ka avancuar strategjinë e saj të sigurisë kibernetike, duke i vënë theksin një politike ndërkombëtare kibernetike, partneriteteve ndërkombëtare më të forta dhe forcimit të kapaciteteve kibernetike. Këto përpjekje përputhen me Strategjinë Digjitale të BE-së, e cila synon të udhëheqë transformimin digjital deri në vitin 2030.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Vitin Digjital 2024 ka nxjerrë në pah boshllëqet kryesore për t’u adresuar në këtë transformim. Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor gjithashtu integron transformimin digjital si një prioritet kritik në shumë sektorë.

Duke mbështetur ekonomitë në përafrimin me këto iniciativa të BE-së, ky takim do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e infrastrukturave digjitale dhe avancimin e qëllimeve të tyre të integrimit në BE.

PNUD bën të ditur se, një nga sfidat kryesore në sigurinë kibernetike është elementi njerëzor. Kërkimet tregojnë se 68% e shkeljeve të sigurisë kibernetike shkaktohen nga gabimi njerëzor, shpesh si pasojë e mungesës së trajnimit të mjaftueshëm ndërgjegjësues mbi sigurinë.

Adresimi i kësaj sfide kërkon programe edukative dhe ndërgjegjësuese për të reduktuar gabimet që mund të çojnë në shkelje. Pavarësisht një fuqie punëtore globale të sigurisë kibernetike prej 4.7 milionë në vitin 2022, një boshllëk i madh i aftësive vazhdon të ekzistojë, me një mungesë prej 3.4 milionë profesionistësh.

Duke i dhënë përparësi iniciativave të trajnimit dhe zhvillimit të kapaciteteve, ky seminar synoi ta zvogëlojë këtë boshllëk dhe të kultivojë një fuqi punëtore të aftë dhe të larmishme në fushën e sigurisë kibernetike.

“Partneriteti ndërmjet UNDP Shqipëri dhe Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë tregon rëndësinë e bashkëpunimit në promovimin e qëndrueshmërisë në sigurinë kibernetike. Duke forcuar partneritetet në sektorë kritikë – përfshirë financat, energjinë, shëndetësinë dhe transportin – bashkëpunimi rajonal mund të forcojë mbrojtjen kombëtare dhe të rrisë sigurinë e infrastrukturave jetike,” tha Igli Tafaj, drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë.

“Takimi në Tiranë shënon një moment të rëndësishëm në këto përpjekje, duke ofruar një forum për pjesëmarrësit për të ndarë praktikat më të mira, për të diskutuar për incidentet kibernetike të fundit dhe për të punuar drejt krijimit të një Rrjeti të Bashkëpunimit për Sigurinë Kibernetike (CCN). Ky rrjet do të mundësojë ndarjen e informacionit në kohë reale dhe përgjigje të koordinuara ndaj kërcënimeve në rritje,” tha përfaqësuesi i UNDP-së.

Ky takim vendosi gjithashtu themelet për Dialogjet Globale të Politikave Kibernetike për Ballkanin Perëndimor, që do të zhvillohen në Tiranë më 19-20 nëntor 2024. Këto dialogje do të kontribuojnë më tej në ndërtimin e qëndrueshmërisë digjitale dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike në të gjithë rajonin.

Duke forcuar aftësitë e përbashkëta të sigurisë kibernetike, Ballkani Perëndimor, Gjeorgjia dhe Moldavia do të jenë më të përgatitur për të përballuar sfidat në rritje të epokës digjitale, duke siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më të mbrojtur për të gjithë./ata