Pas më shumë se 80 vitesh në pritje, një hap i rëndësishëm u ndërmor sot në fshatin Mallkeq, Selenicë.

Serjan Alikaj, 60 vjeç, iu bashkua ekipit të Drejtorisë së Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur dhe kryetarit të Njësisë Administrative Vllahinë, Pëllumb Shametaj, për të vendosur tabelën shënjuese në vendvarrimin e dyshuar të xhaxhait të tij, Rait Bajram Alikaj.

Rait Alikaj ishte 22 vjeç dhe i angazhuar me forcat e Ballit Kombëtar, gjatë Luftës Antifashiste në vend. Vendosja e regjimit dhe shpallja armik e këtij grupimi politik e detyroi atë të tentonte arratisjen, por ra në përleshje me forcat e ndjekjes, ndërsa i vëllai u arrestua dhe vdiq në burgun e Gjirokastrës.

Nga shtëpia e Serjanit, ka pesë të pushkatuar, dhe ai do të plotësojë amanetin. Familja e kërkoi, por nuk arriti ta gjente për shkak të mungesës edhe të mjeteve të kërkimit, por edhe të lëvizjeve që iu ishte bërë eshtrave ndër vite.

Një vit më parë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nisi hetimin administrativ, ku nga dëshmitarë të zonës të mbetur gjallë, por edhe të tjerë, kishin dëgjuar dëshmitë e prindërve të tyre se “Varri i Bolenasit” ndodhej 100 metra më tutje nga vendi ku u ekzekutua.

Në kuadër të përmbushjes së përgjegjësive për ruajtjen e kujtesës kombëtare, AIDSSH ka përgatitur tabela për të shënjuar këto hapësira kujtese edhe në 8 vendvarrime të tjera të dyshuara për të zhdukurit gjatë periudhës komuniste ndërkohë që vitin e shkuar një tabelë e tillë u vendos në Shkodër.

Gjatë vitit 2024, janë realizuar hetime administrative për të identifikuar vendvarrime të tjera të dyshuara në lidhje me të vrarët në kufi dhe të zhdukurit në burgje si Burgu i Burrelit, ai i Gjirokastrës, Shkodrës, Kampi i Tepelenës dhe zona e Spaçit. Deri më tani, janë identifikuar 7 vendvarrime të dyshuara dhe 2 prej tyre janë verifikuar plotësisht.

Këto hetime përfshijnë dëshmi nga dëshmitarët dhe përpjekjet për ruajtjen e kujtesës historike.

AIDSSH u bën thirrje institucioneve vendore që të mbrojnë këto vende të rrezikuara nga zhvillimet urbanistike të vrullshme, duke ruajtur kështu një pjesë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare./ata