Të gjithë të rinjtë që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e dytë dhe janë shpallur fitues në degën që kanë zgjedhur, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit me dokumentacionin e nevojshëm pranë sekretarive mësimore në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta.

Pas vendeve të mbetura bosh nga raundi i parë, nga data 28 shtator deri më datë 7 tetor të gjithë kandidatët kanë në dispozicion 5 faza 48 orëshe,  për kuotat e mbetura të paplotësuara për çdo program studimi.

Secili kandidat ndjek ecurinë e procesit të shpalljes fitues të tij në një apo disa programe studimi nga ato që ka përzgjedhur në formularin e aplikimit. Kandidati i shpallur fitues, duhet të paraqitet në IAL-në ku dëshiron të regjistrohet, brenda afatit 48-orësh.

Nëse nuk regjistrohet brenda afatit, ai e humbet të drejtën e regjistrimit në atë program studimi ku ishte shpallur fitues në atë fazë.

Sipas të dhënave nga Rrjeti akademik Shqiptar, degët që janë ezauruar 100% në Tiranë janë Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia dhe Farmacia. Edhe fakulteti i Arkitekturës nuk ka më asnjë vend të mbetur bosh.

Nga ana tjetër tre degët e shpallura me interes kombëtar janë matematikë, Fizikë dhe Kimi në Fakultetin e Shkencave. Ata të cilët kanë zgjedhur secilin prej këtyre programeve të studimit përfitojnë bursa sa paga minimale./ata