Në sheshin kryesor të qytetit të Pukës është organizuar ceremonia e vendosjes së obeliskut kushtuar martirëve të lirisë, Ndrekë Markiçi, Ndue Dashi, Dedosh Jaku, Çun Gjergji, Hilë Caka dhe dom Gjon Gazulli, të cilët 98 vite më parë u ekzekutuan pa gjyq.

Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj u shpreh në rrjetet sociale se, obelisku “Martirët e Lirisë 1926-1927” është një vlerë e shtuar për kujtesën kolektive, si dhe një akt drejtësie për këta burra, të cilët u dënuan me varje në litar vetëm pse u ngritën kundër shtypjes. Dodaj e konsideroi një kauzë të shenjtë që shoqëria njerëzore e ka domosdoshmëri të çdokohshme, sa herë pushtetet dhe qeveritë marrin karakter autoritarist dhe tiranik.

Realizimi i këtij obelisku përkujtimor vjen si bashkëpunim midis bashkisë së Pukës e Fushë – Arrësit dhe të afërmve të këtyre martirëve.

Me vendim të Këshillit Bashkiak të Pukës, njërës prej rrugëve kryesore të qytetit iu vu emri “Ndoc Mark Deda”, i njohur si atdhetar i flaktë në luftë kundër pushtuesit.

Pas ceremonisë në Pallatin e Kulturës të Pukës u zhvillua edhe një sesion shkencor, ku studiues e historianë evidentuan kontributin e qëndresën heroike të 6 martirëve të rënë për liri, të cilët me vendim të këshillave bashkiakë Pukë e Fushë-Arrës u vlerësuan me titullin Qytetar Nderi pas vdekjes./ata