Ushtria izraelite deri më tani ka shkatërruar 37 qyteza dhe më shumë se 40 mijë shtëpi në rajonin jugor të Libanit ku vazhdon sulmet e saj, njofton agjencia zyrtare e lajmeve e Libanit, NNA.

"Ushtria izraelite vazhdon luftën e saj shkatërruese në Liban, veçanërisht në rajonet jugore", thuhet në lajmin ku vihet në dukje se ushtarët izraelitë kanë hedhur në erë plotësisht disa qyteza në Liban me mjete shpërthyese.

Në lajm theksohet se Izraeli ka shkatërruar të paktën 37 qyteza në Liban dhe se janë shkatërruar plotësisht më shumë se 40 mijë shtëpi.

Ndër të tjera në lajm bëhet e ditur se qytezat e shkatërruara nga ushtria izraelite shtrihen 3 kilometra në brendësi të vijës kufitare, nga qyteza Naqoura e deri në qytezën Al-Khiam.

Në sulmet e intensifikuara të Izraelit në Liban kanë humbur jetën 3.002 persona

Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hezbollahun, më 23 shtator nisi qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, gjithsej 3.002 persona kanë humbur jetën, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, ndërsa 13.492 të tjerë janë plagosur që nga 8 tetori 2023.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

Ndërkaq, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.

Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, qeveria libaneze ka njoftuar se më shumë se 539 mijë persona kanë migruar në Siri./aa