Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “çdo i moshuar merr sot të paktën 30% më pak pension se në vitin 2013”.

Nga “arresti i shtëpisë”, Berisha foli për projektbuxhetin 2025 që ka mbërritur në Kuvend.

“Ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në histori. Cilido që të mos besojë këtë e ftoj t’i shtrojë vetes një pyetje: Çfarë ka ndodhur me 57 miliardë euro të buxheteve nga viti 2014 e gjer sot. Qytetarëve shqiptarë u them se, nga këto 57 miliardë euro, vetëm 7.5 miliardë euro janë pagesat 10-vjeçare të rrogave të shqiptarëve”, tha ai.

Ai shtoi se, “në qoftë se do të ishte përcaktuar si parim, se buxheti është i qytetarëve dhe jo i qeveritarëve, sot në Republikën e Shqipërisë nuk mund të kishte kurrë pension nën 300 euro. Sot në Republikën e Shqipërisë nuk do të mund të kishte kurrë, rrogë minimale nën 500 euro. Sot në Shqipëri nuk do të kishte kurrë rrogë mesatare nën 1200 euro”.

Berisha tha se, “me gjithë 57 miliardë euro, taksa të qytetarëve shqiptarë, biznesmenëve shqiptarë, taksa të tyre, pensionet nuk u rritën asnjë qindarkë.  Ato u indeksuan në masën 27%, ndërkohë që vetëm për t’u indeksuar sipas rritjes së çmimeve duhet të rriteshin 52%. Pra miq çdo pensionist merr sot të paktën 30% më pak se në vitin 2013”.

Sipas tij, “57 miliardë eurot e buxheteve 2014-2024 u përdorën për shumëfishimin e rrogave të hajdutëve të qeverisë dhe jo për popullin”.

“A e dini ju të dashur qytetarë se deputeti, se ministri, se kryeministri, se mercenarët dhe zuzarët e Skapit, marrin më shumë se 10 rroga mesatare, 6-7, 10 rroga mesatare.”, u shpreh Berisha.

Berisha gjithashtu sulmoi edhe mediet teksa u shpreh se, “90 për qind e mediave në Shqipëri i thurin lavde narkodiktatorit dhe censurojnë rrënimin dhe braktisjen e Shqipërisë”.

Sipas tij, “mediat janë shndërruar në altoparlamente të diktaturës, në 90% të të gjitha lajmeve, në 90% të të gjitha programeve, i thurin lavde narkodiktatorit, i thurin lavde diktaturës, censurojnë në amoralitet të plotë vjedhjen e tmerrshme që i bëjnë shqiptarëve, qeveritarët e sotëm. Censurojnë gjendjen dramatike të shqiptarëve në spitale. Censurojnë rrënimin katastrofal të cilësisë së mësimit. Ndërkohë që japin orë të tëra dhe ritransmetojnë takimet Edi Ramës me administratën e tij jashtë shtetit, dhe disa emigrantë”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej se, “valët janë pronë publike, mediat e kontrolluara nga qeveria i përdorin ato për të mashtrur qytetarët”./ata