Sipas të dhënave të Censusit 2023, Shqiptarët rezultojnë se po martohen gjithnjë e më pak. Rreth 36.6% e popullsisë totale në vend është me statusin beqar ose nuk është martuar kurrë. Nga kjo përqindje, 44.3% janë femra dhe 55.7% janë meshkuj, përqindje kjo më e lartë dhe për shkak të moshës më të vonshme mesatare të martesës së këtyre të fundit. Ndryshimet në stilin e jetesës, rritja e moshës për t’u martuar, plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni i lartë i të rinjve janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë prirje.

Por sa i përhapur është ky fenomen në qarqet e Shqipërisë? Ku ka më shumë beqarë dhe ku më pak? Në një analizë të detajuar, "Scan Intel" ka krahasuar të dhënat e popullsisë banuese dhe asaj beqare për të përcaktuar numrin e beqarëve për çdo 1,000 banorë.

Sipas përllogaritjeve rezulton se Kukësi renditet i pari me 423 beqarë për 1,000 banorë. Një pjesë e madhe e popullsisë ka migruar drejt qyteteve të mëdha ose jashtë vendit për mundësi më të mira pune, duke çuar në një strukturë të lartë të beqarëve në zone.

Më pas, renditet Tirana me 413 beqarë për 1,000 banorë. Duke qenë një qendër e madhe urbane me mundësi të shumta punësimi, shumë të rinj zgjedhin të përqendrohen në karrierë duke e shtyrë martesën për më vonë.

Dibra gjithashtu ka një përqindje të lartë të personave që nuk janë martuar, ku raporti beqarë për 1,000 banorë në këtë qark është 392. Pas Dibrës vjen Durrësi dhe Berati me 376 dhe 363 beqarë për 1,000 banorë përkatësisht. Po ashtu, Lezha dhe Shkodra kanë shifra të ngjashme për sa i përket numrit të beqarëve. Konkretisht, Lezha ka 362 beqarë për 1,000 banorë, ndërsa Shkodra ka 357.

Edhe Elbasani shfaq një përqindje të konsiderueshme të popullsisë beqare. Me 344 beqarë për 1,000 banorë, ky qark përfaqëson një strukturë demografike të ndikuar kryesisht nga emigracioni. Ndërkohë në Korçë, Vlorë dhe Fier raporti beqar për 1000 banorë është respektivisht, 322, 315 dhe 302. Në fund të listës është Gjirokastra me 292 beqarë për 1,000 banorë.

Ajo që vihet re në të gjitha qarqet është se numri i meshkujve beqarë është më i lartë se ai i femrave beqare. Mesatarisht kemi 33.9% ose 8,408 meshkuj më shumë të pamartuar sesa femra. Diferenca është më e theksuar në qarkun e Gjirokastrës, ku meshkujt beqarë tejkalojnë ndjeshëm numrin e femrave me të njëjtin status. Konkretisht, në këtë qark janë 55% më shumë meshkuj beqarë./Scan