Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Hungari ku do ta përfaqësojë  Kosovën në samitin e pestë të komunitetit politik evropian (EPC), i cili mbledh liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti në Budapest.

Në këtë samit do të diskutohen sfidat e sigurisë në Evropë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.Osmani do të merr pjesë në dy sesionet plenare si dhe do të mbajë dy fjalime, njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.

Ajo po ashtu do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë, si dhe do të takohet me mërgatën shqiptare në Hungari.Komuniteti politik evropian është një platformë për liderët evropianë për të diskutuar çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti, nga siguria dhe migrimi te stabiliteti ekonomik dhe mjedisi.

E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe jashtë saj. /Kosovapress/