Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, prezantoi të martën në Komisionin për Çështjet Ligjore të Kuvendit, raportin vjetor “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2023”.

Çela u shpreh se ka një ulje të kallëzimeve me 9.3%, teksa shtoi se vihet re një ulje e denoncimeve sa i takon dhunës në familje dhe rritje sa i takon veprave penale në fushën e narkotikëve. Çela tha se një nga shqetësimet mbeten vakancat në sistem, të cilat janë pasojë e Vetting-ut, të cilat kanë arritur deri në 38% të prokurorëve.

“Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55 253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022.  Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë e Tiranës me 35,12 % të numrit total të procedimeve; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi”, tha Kryeprokurori Çela.

“Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 6,2%, me një ulje prej 4,68 % në krahasim me vitin 2022. Tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës”, 12,86 %; veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë, 9,20 %; veprat penale në fushën kibernetike, 22,35 %; veprat penale të trafiqeve të paligjshme”, 47,59 %; veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”, 13,81 %”, shtoi Çela.

“Për veprat penale të korrupsionit, janë regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur dhe 140 procedime me 151 të pandehur janë dërguar për gjykim.”, u shpreh Çela.

Sipas kryeprokurorit nga hetimet e realizuara janë zbuluar në 6 raste të korrupsionit aktiv në zgjedhje. “Nga 44 referime/procedime penale të transferuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme, janë regjistruar 32 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën”, vijoi Çela.

“Referuar të dhënave statistikore, për veprën penale “Dhuna në familje”, për vitin 2023 janë regjistruar 1 396 procedime penale, me 1 078 të pandehur, ose me ulje 3,92 % të procedimeve dhe ulje 11,35 % të pandehurve të regjistruar krahasuar me vitin 2022. Janë dërguar për gjykim 996 procedime me 1 048 të pandehur”, shtoi ai.

“Efektiviteti i ndjekjes penale është i lartë në kryerjen e hetimeve dhe ndjekjen për veprën penale të dhunës në familje në vitin 2023, ku evidentohet se çështjet e dërguara në gjyq janë në përqindje shumë më të lartë se ato të pushuara, përkatësisht 71,35 % dërguar gjyqit dhe 21,35 % të pushuara. Lidhur me ashpërsimin e politikës penale për veprën penale “Dhuna në familje” , të dhënat statistikore evidentojnë se kërkesat e prokurorit lidhur me masat e sigurimit për persona që kanë kryer këtë vepër janë të ashpra, ku 89,04 % janë kërkesa për masa sigurimi me arrest me rritje në krahasim me vitin 2022 ku kërkesat për arrest ishin më masën 86,13 %. Kërkesat për caktimin e dënimit, për të pandehurit e akuzuar për këtë vepër penale rezultojnë se 61,82 % e kërkesave janë për caktimin e dënimit me burg dhe 38,18 % e kërkesave janë për caktimin e alternativave të dënimit me burg, shifra përafërsisht të njëjta me vitin 2022”, u shpreh Çela.

Kryeprokurori po ashtu tha se Shqipëria ka dalur nga lista gri e FATF. “Ky rezultat ka ardhur ndër të tjera nëpërmjet reformave dhe politikave të zbatuara në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe veçanërisht si rezultat i gatishmërisë për bashkëpunim, transparencës së treguar dhe rezultateve tepër pozitive të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në hetimin e pastrimit të parave. Për këtë Shqipëria nuk do t’i nënshtrohet më monitorimit të shtuar të FATF.”

“Rezultati i këtyre masave është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të parave, ku janë regjistruar 158 procedime penale të reja dhe 15 të pandehur, ndërkohë 14 procedime me 27 të pandehur u dërguan për gjykim dhe 22 të pandehur rezultojnë të dënuar. Në këtë periudhë vetëm për veprën penale të pastrimit të parave janë regjistruar 156 procedime të reja me 11 të pandehur, dhe 11 procedime me 16 të pandehur janë dërguar për gjykim”, tha Çela.

Ai shton se se ka ecuri pozitive sa i takon ekstradimeve.  “Gjatë vitit 2023, janë trajtuar 171 praktika ekstradimi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 45 dhe 99 praktika ekstradimi nga Shqipëria për jashtë, ndër të cilat janë përfunduar 48”, tha Kryeprokurori.

Lidhur me dekriminalizimin, Çela tha se “nga 91 kërkesa të reja, gjatë vitit 2023 janë regjistruar 77 procese për verifikim të thelluar. Këto procese, sipas organeve kompetente që kanë kërkuar verifikimin e thelluar të të dhënave të vetëdeklaruara në formularë nga subjektet, për vitin 2023, ju përkasin, 38 kërkesave të bëra nga Departamenti Administratës Publike dhe 39 të bëra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 85 procese për verifikim të thelluar nga të cilat 29 vendime janë procese të regjistruara gjatë vitit 2023 dhe 56 vendime janë procese të mbartura nga vitet 2017 – 2022.

Nga rastet për të cilat ka përfunduar procesi i verifikimit të thelluar në vitin 2023, për 9 persona, materiali është kaluar për kompetencë në prokuroritë përkatëse, si të dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit i vulave, i stampave ose i formularëve”, nga të cilat 4 janë për kërkesat e vitit 2023, 2 për kërkesat e vitit 2020 dhe 3 për kërkesat e vitit 2021. Personat që kanë rezultuar të kenë plotësuar formularin e vetëdeklarimit me të dhëna të rreme, ju përkasin kërkesave për verifikim të ardhura si vijon: 8 nga Departamenti i Administratës Publike; 1 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha ai.

Çela u shpreh se harta e re gjyqësore u zbatua me sukses. “Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata po rëndohet së tepërmi. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore si dhe marrjen e masave ndërinstitucionale për sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre”, tha Çela.

“Sa i përket sistemit të menaxhimit të çështjeve, është ngritur grupi i ekspertëve mbështetës për sistemin e qendërzuar të çështjeve për të siguruar mbështetje dhe koordinim sa më efektiv të prokurorisë për realizimin e këtij projekti. Është bashkërenduar puna me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe është hartuar korniza e ndërveprimit të sistemeve të reja të sistemit të drejtësisë (ku përfshihet edhe sistemi CAMS) e cila përfshin ndër të tjera ndërlidhjen e sistemeve elektronike të tyre ndërmjet tyre, por edhe me bazat e të dhënave shtetërore me protokolle informatike, për një komunikim sa më eficient dhe të sigurtë. Ndërkohë që kemi nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e Delegacionit të BE në Shqipëri për mbështetjen prej fondeve të BE së sistemit të ri CAMS”, tha kryeprokurori./ata