Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi gjatë seancës së sotme të Kuvendit i kërkoi deputetëve të Partisë Demokratike, që të mos djegin karriget e Parlamentit dhe të mos bllokojnë seancat plenare të kthehen në normalitet.
Në fjalën e tij Peleshi tha se “është në të drejtën e opozitës të zgjedhë kursin e saj opozitar”.
“E gjej të nevojshme të bëj dy, tre sqarime. Ta ndajmë mendjen të dashur kolegë çfarë qëndrimesh do mbajmë për vendimet e gjykatave. Çështja është ta ndajmë mendjen se çfarë raporti do mbajmë me drejtësinë, do i pranojmë apo jo. Nuk po çmoj është i drejtë a jo, por ju dogjët karriget e Parlamentit”, u shpreh ai.
“Për shkak të një vendimi gjykate ju sot jeni këtu dhe ne mund të mos jemi dakord me këtë vendim gjykate madje ka shumë shumë komente për një vendim gjykate, të një gjykate administrative që merr atributet e organeve kolegjiale të Kuvendit”, theksoi Peleshi.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se “është e vërtetë ajo që tha ministri Balla që është Gjykata e Lartë që e ka arsyetuar që nuk mund të hyjë dot një Gjykatë Administrative në vendimmarrje të organeve kolegjiale të Kuvendit qoftë edhe për çështje etikës apo për masa disiplinore”.
“Ky është mendimi im dhe i shumë kolegëve, por ne kemi një standard tjetër pavarësisht një flagrance në një vendim të Gjykatës Administrative që zhbën dhe deformon një vendim të Sekretariatit të Etikës ju sot jeni këtu dhe ne sot nuk po djegim karriget tona për të protestuar apo revoltuar ndaj një vendimi gjykate”, tha Peleshi.
Peleshi u shpreh se “të vazhdojmë në normalitet, të vazhdojmë punën tonë. Sepse jemi në sezonin më të rëndësishëm të punës së Kuvendit, seancë plenare për buxhetin. Nuk ka fushëbetejë më të përshtatshme për të mbrojtur vizionin e saj opozita. Ta kalojmë diskutimin e masave disiplinore se s’kanë sens dhe të vazhdojmë me diskutimet me buxhetin. Kemi kohë për të diskutuar dhe jo debatuar”.
“Vendimi i Gjykatës nuk ka rrëzuar vendimin e Etikës, por e ka quajtur të drejtë, thjesht ka ndryshuar datat, në vlerësimin tim ka bërë vendim të gabuar se ka hyrë në territorin tonë, por kjo s’ju jep të drejtë të digjni karriget. Nderojeni foltoren në dispozicion të përfaqësuesve, qytetarëve, buxheti është fusha e betejës për dy palët, jo vetëm për mazhorancën dhe jo për opozitën”, tha Peleshi./ata