Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një prononcim për mediet nga oborri i Kuvendit ritheksoi nevojën për të mbështetur drejtësinë e re dhe në veçanti ndaj SPAK në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Basha tha se ai dhe demokratët euroatlantikë e kanë treguar me fakte mbështetjen ndaj SPAK, pasi prej një viti më parë ka depozituar Kuvendin e Shqipërisë amendamente që mundësojnë plotësimin e nevojave të shprehura nga drejtuesit e këtij institucioni.

“Reforma në drejtësi kaloi në vitin 2016 vetëm në sajë  të mbështetjes së jashtëzakonshme dhe presionit të aleatëve euroatlantikë, të cilët realizuan në Shqipëri një reformë standarde për çdo vend anëtarë të Bashkimit Europian. Tashmë në fazën e anëtarësimit, një reformë e cila synon t’i jap fund pandëshkueshmërisë dhe trajtimit të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian si çifligje të një grushti politikanësh që pasi marrin pushtetin, nuk dinë të largohen deh abuzojnë me besimin e qytetarëve, me fondet publike dhe me institucionet e shtetit”, u shpreh Basha.

“Fakti është se Struktura e Posaçme Antikorrupsion në veçanti ka provuar se kjo reformë është jetike për të goditur pandëshkueshmërinë dhe për të vënë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë dhe besimin e qytetarëve shqiptarë. Mbështetja ime dhe mbështetja jonë për reformën në drejtësi është e gjithëanshme dhe e pakushtëzuar prej momentit të zbatimit të atyre parimeve që mundësojnë një drejtësi të pavarur nga politika dhe këtë e kemi provuar me dorëzimin e një viti më parë të amendamenteve në Kuvendin e Shqipërisë, pas dëshmive të drejtuesve të SPAK-ut për të mbështetur SPAK-un me fonde, me infrastrukturë, me burime njerëzore dhe me ndryshime legjislative që mundësojnë që SPAK-u të bëjë detyrën duke vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me pasuritë e shqiptarëve”- tha Basha.

Ai më tej tha se Edi Rama pengon sjelljen në Parlament, diskutimin dhe votimin e këtyre propozimeve, sepse sipas tij, Rama dhe qeveria e tij tashmë janë në konflikt të hapur interesi me punën e përditshme të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

“Për qytetarët shqiptarë besoj është e qartë, por dua ta përsëris edhe njëherë nga njëra anë vullnetin tonë për të ecur përpara me mbështetjen totale ndaj SPAK-ut sot dhe nesër kur ky Parlament nga votat e qytetarëve. Dhe nga ana tjetër i bëj dhe njëherë thirrje Edi Ramës t’i jap fund hipokrizisë. Nëse ka një grimcë të vërtete në ato që thotë në mbështetje të SPAK-ut dhe reformën në drejtësi, t’i jap fund sulmeve të hapura dhe të fshehta kundër SPAK-ut dhe të sjell votim në Kuvendin e Shqipërisë një vit pasi janë depozituar nga ne amendamente të cilat ndihmojnë SPAK-un të bëjë punën e vet i papenguar nga qeveria, i papenguar nga politika e të korruptuarve”- u shpreh Basha./ata