Projekti 2-vjeçar i organizatës joqeveritare “Urban Researche Institut” mbi krijimin e sistemit kombëtar të matjes, raportimit dhe verifikimit (MRV) të të dhënave klimatike u përmbyll me sukses.
Gjatë një takimit të organizuar me këtë rast pati diskutime midis partnerëve kryesorë institucionalë në sektor, përfshirë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Institutin e Statistikave, Agjencinë Kombëtare e Burimeve Natyrore, Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, së bashku me partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë të zhvillimit që operojnë në Shqipëri.
Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi në takim një objektiv vizionar për Shqipërinë, integrimin e plotë të komponentëve të Sistemit Kombëtar të Inventarit të GHG-së në platformën ndërministrore për të dhënat dhe informacionin mjedisor kombëtar deri në vitin 2025.
“Kjo arritje forcon angazhimin e Shqipërisë për veprim transparent klimatik dhe politikë mjedisore të bazuar në të dhëna”, tha Jaupaj.
Ky projekt është financuar nga Green Climate Fund. Krijimi dhe zbatimi i sistemit MRV mbështet përmirësimin e cilësisë së raportimit kombëtar për ndryshimet klimatike, si dhe mobilizimin e financimit të klimës nga donatorët ndërkombëtarë./ata