I ka kaluar thuajse 20 vitet e fundit pikërisht kështu, mbi dru, duke i dhënë formë e duke ndërtuar nga orenditë shtëpiake, te veprat e vogla të artit si skulpturat.

Ky është Vladimir Kamberi, artizani i njohur i Vlorës, që me shumë mund, arriti të krijonte një punishte të vogël, të marrë me qira.

“Kam rreth 20 vjet që punoj, që ushtroj këtë aktivitet. Më ka pëlqyer të bëj punime, simbole kombëtare, kam nisur me shqiponjat, pastaj punime në gurë e në dru, eca mirë, puna më eci shumë mirë” thotë Kamberi.

Por, gjithë mundi i jetës iu hodh poshtë ditën e 4 tetorit, kur reshjet përmbytën qytetin bregdetar.

Punishtja e vogël e drurit nuk i shpëtoi dot përmbytjeve dhe uji arriti deri në 50 cm duke marrë para çdo gjë. Dëmi thotë Kamberi shkon mbi 10 mijë euro.

Të themi të vërtetën kjo përmbytje na demoralizoi pak dhe na i preu krahët sepse ishte një humbje rreth 10 mijë euro, pati dëme në vegla, punimet artistike, të cilat do të dilnin në treg, ishin nga të shumëllojshmet, të vecanta, anije me gurë, erdha këtu për të shpëtuar diçka dhe shpëtova disa por nuk munda sepse uji erdhi me shumë rrëmbim dhe ishte rreth 50 cm ujë , rreth gjysmë metër, sa shumë mori uji ato të lehtat, format ishin gati, ishte puna e gati dy viteve” tregon ai.

Ai i kërkon bashkisë të vlerësojë dëmet dhe të japë dëmshpërblimin, pasi me këtë punishte artizani Kamberi ka mbajtur ekonominë familjare.

“Asnjë nga ana e bashkisë s'e ka marrë mundimin, asnjë këtu janë verifikuar dhe këtu te unë s'ka ardhë asnjëri për të më pyet çfarë dëmesh ke patur”

Si Vladimir Kamberi, me sytë nga bashkia janë edhe dhjetëra familje e biznese të tjerë që pësuan dëme nga përmbytjet e 4 tetorit, por procesi i dëmshpërblimit, ende nuk ka nisur./Shqiptarja