Hamami i Durrësit, monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë I, ka rihapur dyert e tij prej një muaji, duke i ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë historinë e pasur dhe diversitetin kulturor të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga hamami i restauruar, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Hamami Mesjetar në Durrës gati të mirëpresë vizitorët vendas dhe të huaj. Kjo strukturë historike e shek. XVIII, është një nga dhjetë hamamet që kanë mbijetuar në Shqipëri”, shkruan Rama.
I gjendur pranë Kullës Veneciane, Hamami është një nga 15 sitet e trashëgimisë kulturore që janë rinovuar plotësisht përmes programit ‘EU4Culture’, ndërsa puna është duke vazhduar në 8 site të tjera.
Ndërhyrjet do të përfshijnë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme, fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital.
Në qendër të kompozimit planimetrik të Hamamit ndodhet mjedisi i zhveshjes, që mbulohet nga një kube sferike. Në një lartësi maksimale 5.8 metra nga dyshemeja ndodhen 12 dritare shumë të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në mesin e gjysmësferës. Në kulmin e kupolës ndodhet një gjysmësferë tjetër, me rreze 70 cm, ku hapen tri dritare të tjera të rrumbullakëta, çka plotëson ndriçimin e dhomës.
Në të djathtë të kësaj dhome ndodhen edhe dy mjedise të vogla për larje. Dyshemetë e këtyre dhomave ngroheshin me tym ose me avull, nëpërmjet tubacioneve që dilnin nga furra. Kjo e fundit ndodhet në pjesën e prapme të mjedisit të zhveshjes.
Njoftimet e para për banjat mesjetare në vendin tonë, si në Elbasan, Berat apo Gjirokastër, jepen nga kronisti turk Evlija Çelebiu në shekullin e 17-të. Banja mesjetare e Durrësit duhet të jetë ndërtuar më vonë./ata