Ditën e nesërme do të bëhet shkarkimi i mbetjeve kimike të anijës “Moliva”, pas disa ditëve të qëndrimit në radën portuale në Durrës, pas vendimit për sekuestro nga ana e Prokurorisë.
Vendimi për shkarkimin është marrë pas gjetjes së vendit për evadimin e tyre, që do të administrohet nga organet ligjzbatuese dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Nuk dihet vendi ekzakt i shkarkimit të mbetjeve, por sipas burimeve bëhet fjalë për vendqëndrim larg zonave të banuara.
Transporti i tyre do të bëhet nën masa të rrepta sigurie. Kujtojmë se 2 anije me mbetje ishin nisur në prill dhe korrik drejt Tajlandës dhe Kinës, por ato u kthyen pas ngritjes së alarmit nga organizatat ndërkombëtare, se në to ndodheshin mbetje të rrezikshme dhe po bëhej eksport i paligjshëm.
Pas shkarkimit të mbetjeve, pritet të bëhen të gjitha verifikimet dhe analizat, për të parë shkallën e rrezikshmërisë së mbetjeve dhe për të bërë hetimet e nevojshme të çështjes./Dita