Artisti nga Kosova Naim Spahiu, i cili pritet të çelë sot (më 7 nëntor) për herë të parë një ekspozitë të tijën në Shqipëri, në Galerinë “GOCAT”, ka ndarë pak nga puna që pritet të shijojnë artdashësit e kryeqytetit.
I ftuar në programin radio-televiziv “Wake Up” , Spahiu tha se ekspozita “Pas murit ka mure të tjera” , me plot 40 punime, është një thirrje e fuqishme për komunitetin artistik dhe jo vetëm, për të reflektuar pozitivisht mbi barrierat rrethuese që lënë pas ngjarjet në të kaluarën siç janë ato të Luftës së Kosovës.
“Ne e dimë që komoditeti nuk na sjell asgjë. Ndoshta edhe këto ngjarje që vijnë janë diçka që na mbajnë gjallë, që do të thotë që na shtyjnë të ecim përpara. Kjo ka shumë rëndësi”, tha artisti Naim Spahiu.
Për të ardhur në Galerinë “GOCAT” me këtë ekspozitë, ai tha se i është dashur 2 vite punë hulumtuese, ndonëse veprat në vetvete vijnë prej një kohe të largët dhe mbartin emocione të shumta, në çdo detaj të tyrin.
“Pas murit ka mure të tjera” do të jetë e hapur deri më datë 30 nëntor. Por ndërsa ekspozita premton interes të lartë vizitorësh, Galeria “GOCAT” mbetet një hapësirë unike nga Fondacioni Mane dhe pa kurrfarë kostoje për të gjithë të interesuarit pas artit, por edhe për artistët të cilët duan të promovojnë punët e tyre./Tema