Ervis Aliaj, 22-vjeçari nga Fushë-Arrëzi, ka vendosur që talentin e tij në punimet artizanale ta zhvillojë në vendin e tij.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale solli shembullin e të riut Aliaj, i cili së bashku me të rinj të tjerë japin kontributin në realizimin e projekteve inovatore në “Qendrën Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë” në Fushë-Arrëz.

“Gjatë vizitës në këtë qendër u takova me Ervis Aliajn, 22-vjeçarin e talentuar në punimet artizanale. Ervisi, ka vendosur që talentin ta zhvillojë në vendin e tij dhe çdo ditë vjen në këtë qendër sociale, ku bashkë me të rinjtë e tjerë japin kontributin në realizimin e projekteve inovatore”, shkruan Koçiu.

Në videon e publikuar nga Koçiu, i riu Aliaj u shpreh se “në 2017 u largova në Suedi, ku jetova për 5 vite, tani jam kthyer dhe kam vendosur të jetoj në Fushë-Arrëzi, që unë si i ri të jap kontributin në vendin tim”.

“Jam anëtar i “Qendës Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë” dhe merrem me punime artizanale. I bëj thirrje të rinjve që të kthehen dhe të kontribuojnë në vendin e tyre”, tha Aliaj./ata