Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se nga viti i ardhshëm të dhënat mbi turizmin do të jenë të gjitha në një platformë të vetme E-Visitor.

“Një tjetër projekt i rëndësishëm i udhëhequr nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është ndërtimi i platformës së statistikave, që do të quhet E-Visitor, e cila do të sigurojë të dhëna në kohë reale, të sakta dhe të aksesueshme për grupet e interesit, qoftë privatë dhe publikë ku do të bashkohen  dhe strukturohen të gjithë të dhënat e rëndësishme për turizmin nga burimet e ndryshme duke përfshirë të dhënat mbi origjinën e turistëve, të dhënat e  akomodimit, të dhënat e anketave të turizmit, të preferencave të tipologjive të turizmit shumë të vlefshme për Ministrinë e Turizmi dhe Mjedisit si politikëbërëse, qoftë për INSTAT, Policia e Shtetit, doganën, tatimet, bashkitë me qëllim që të dhënat të ndahen në kohë reale, por edhe formalizimi i tregut që ka bëjë për shembull me mbledhjen e taksës së fjetjes nga bashkitë me deklarimin dhe kryqëzimin e të dhënave mes subjekteve të ndryshme në privat mbi organizmin më të të mirë të transportit mbi preferencat dhe zhvillimet e tendencave që do të ketë turizmi”.

“Si strategjia e turizmit që kemi në fazë konsultimi dhe platforma që do ta paraqesim të përfunduar brenda 2025 e statistikave po bëhen me bashkëfinancime të qeverisë gjermane dhe e dyta me financim të Bankës Botërore nëpërmjet Fondacionit Shqiptar për Zhvillim”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “kjo e fundit është një detyrim për të vjelë të dhëna të qarta sidomos nga dy platforma që kanë marrë një zhvillim të madh, por ende nuk i kemi të integruara me sistemin qendror të tatimeve që është platforma AirBNB dhe Bookiing.com, ku na rezulton që ka një fluks të shtuar në vitet e fundit të lëvizjeve turistike, por të cilat nuk janë të kryqëzuara me të dhënat kombëtare të tatimeve dhe statistikave për shkak të pigëzimit të tyre në territor”.

Gjithashtu, shtoi Kumbaro, është detyrim i yni sepse për turizmin në të gjithë botën ka një sistem dhe metodologji të veçantë për turizmin që quhet llogaria Satelitore e Turizmit (SAT),  të cilën Shqipëria ende nuk e ka dhe ne do ta bëjmë të mundur.

Kumbaro u shpreh se “së shpejti realizohet akti që i hap rrugë krijimit të kësaj platforme komplekse, por shumë të nevojshme për fazën ku ka hyrë industria e turizmit”./ata