Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2025, i cili është 14.3 miliardë lekë.
Gjatë fjalës së tij Manja tha se Ministria e Drejtësisë do të realizojë misionin e saj përmes 9 programeve buxhetore dhe peshën më të madhe, me gati 56% të buxhetit e zë programi i Burgjeve.
Duke u ndalur tek programi për Burgjet, ministri Manja tha se shumë shpejt do të ndërtohet një paraburgim i ri në Kukës.
“Fondet janë marrë me Aktin Normativ të nëntorit dhe sot që flasim për paraburgimin e Kukësit, çështje orësh që Drejtoria e Burgjeve do ta hedhë në sistem për t’iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik. Paraburgimi i ri në Kukës do të ofrojë kushte shumë të mira, do t’i shërbejë jo vetëm zonës, por edhe për Kosovën. Me ndërtimin e paraburgimit të Kukësit dhe njësisë së të dënuarve, do të krijohet mundësia që të dënuarit ta vuajnë dënimin edhe në Kukës. Do t’i ofrojmë mundësinë në përputhje me ligjin ta vuajnë dënimin afër shtëpive”- tha ministri Manja.
Manja bëri me dije se gjatë vitit 2025, pritet edhe instalimi i sistemeve antidronë në disa nga burgjet e sigurisë së lartë në vend.
“Sistemi antidronë, ka qenë mbi tavanët buxhetore. Do të instalohet sistemi antidronë në burgjet e sigurisë së lartë, burgu 303, burgu i Peqinit, Shkodra, Korça, Burreli dhe Fushë-Kruja. Është i domosdoshëm sistemi antidron”- tha Manja.
Ministri Manja ceku edhe përmirësimin e sistemit përmbarimor në vend.
“Ne duhet të kemi një sistem të shërbimit përmbarimor qoftë privat, qoftë publik, llogaridhënës. Mendojmë se shumë nga problematikat do të marrin zgjidhje, i jep mundësi Ministrisë së Drejtësisë që të forcojë mekanizmat e kontrollit dhe shërbimit përmbarimor”- u shpreh Manja.
Manja nënvizoi me tej se në investimet kapitale do të përfshijnë edhe institucionin e Mjekësisë ligjore.
“Do të kemi dhe një laborator dhe një mort modern”- tha Manja.
Manja bëri me dije se do të ndërtohet edhe Instituti i ri i të Miturve në Tiranë, për të cilin tha se është i pari në llojin e vet në rajon.
“Presim fillimin e punimeve është lidhur edhe kontrata. Shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i institutit të të miturve”- tha Manja./ata