Anija “Moliva” e ngarkuar me mbetje të dyshuara të rrezikshme është ankoruar sot në Portin e Durrësit.
Anija me 102 konteinerë është ankoruar në port, ndërkohë që ka filluar shkarkimi për t’u zhvendosur në drejtim të Porto Romanos, ku dhe është përgatitur vendi për sistemimin e tyre.
Sipas medieve, mbetjet do të sistemohen në një territor në menaxhimin e Agjencisë së Menaxhimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar zbarkimin dhe mbajtjen e 102 kontejnerëve të anijes “Moliva” në një vend të sigurt, larg nga zonat e banuara, të ruajtura mirë dhe me kushte sigurie fizike dhe shëndetësore, teksa po kryhen paralelisht hetime dhe analiza.
Anija turke “Moliva” mbërriti nga Tajlanda në 28 tetor në radën e jashtme të Portit të Durrësit, ndërsa autoritetet shqiptare kanë nisur hetimin lidhur me mbetjet e këtyre kontejnerëve, për të përcaktuar nëse materialet janë të rrezikshme apo jo dhe se nga ku e kanë origjinën.
Hetimet po kryhen në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit (OLAF), ndërsa Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar të 102 kontejnerët që do i nënshtrohen hetimeve të mëtejshme./ata