Në librarinë “Babel” u bë mbrëmë mes miqsh të librit, promovimi i veprës së re të shkrimtarit Stefan Çapaliku, “Camera obscura”.

Libri përmban 60 poezi, me një titull të huazuar nga bota e fotografisë, siç është “dhoma e errët”, fenomeni natyror në të cilin rrezet e dritës që kalojnë përmes një vrime të vogël, në një hapësirë ​​të errët, formojnë një imazh ku godasin një sipërfaqe, duke rezultuar në një projeksion të përmbysur, me kokë poshtë.

“Kam shkru nji libër që s’kam mujtë mos me e shkru. Kam shkarravitë nji libër duke qenë i mbushun me dyshime, që kohët e fundit më kanë vizitu nga të tana anët. Kam kurdis nji libër gjatë kohës kur jam ndie si fotograf, me kryet e zhytyn në nji thes të zi, që ishte paradhoma e nji kutie të errët. Brenda kësaj kutie më asht përmbysë bota, më kanë ba laradasha imazhet”, u shpreh Çapaliku, i pranishëm në “Babel”.

Autori thotë se ka hartuar një libër duke dashur t’i përngjasojë një kalimtari të vetmuar që zbulon, përndjek, lundron në ferrin urban dhe që e zbulon qytetin si një peizazh vesesh epshore.

“E di se të fotografosh njerëzit do të thotë t’i dhunosh ata. Prandaj personazhet e mia nuk i kam vu kurrë që të marrin pozë. Kësisoj kam fiksu energjinë e pakontrollueme, dinamikat e lëvizjes dhe shpesh edhe situatat e tyne karikatureske”, u shpreh poeti, i cili në përmbyllje të fjalës së tij shtoi se, ka dashur të eksplorojë disa përmbajtje të reja që e kanë rrethuar, me shpresën se janë përmbajtjet e reja ato që do ta çojnë drejt formave të reja.

Pas promovimit në Tiranë, libri me poezi i Çapalikut, do të udhëtojë pas disa ditësh drejt Elbasanit, ku do të prezantohet në bibliotekën e qytetit./ata