Sipas të dhënave më të fundit nga Censi i vitit 2023, rreth 3.2% e popullsisë totale në Shqipëri nuk ka ndjekur kurrë shkollën. "Scan Intel" ka analizuar këto shifra për të identifikuar qarqet ku mungesa e arsimimit është më e theksuar.
Në qarqet më të populluara si Tirana dhe Durrësi, përqindja e individëve që nuk kanë ndjekur shkollën është relativisht më e ulët krahasimisht me qarqet e tjera. Tirana, me 13,720 individë të paarsimuar, ka një raport prej 19 individësh të paarsimuar për çdo 1,000 banorë, ndërsa Durrësi ka 6,243 persona që nuk kanë ndjekur shkollën, ose 28 individë për çdo 1,000 banorë. Kjo mund të lidhet me ndërgjegjësimin më të lartë për rëndësinë e arsimit në këto zona, ku sistemi arsimor është më i zhvilluar dhe ofron më shumë mundësi për individët.
Nga ana tjetër, qarqet si Berati dhe Dibra kanë një përqindje më të lartë të individëve që nuk kanë ndjekur shkollën krahasuar me Tiranën dhe Durrësin. Në Berat, 4,491 individë nuk kanë pasur mundësi ose dëshirë të arsimohen , duke regjistruar kështu 32 individë për 1,000 banorë. Po ashtu, në Dibër janë 3,377 individë që nuk kanë ndjekur asnjëherë shkollën, me një raport prej 31 individësh për 1,000 banorë.
Ndërkohë, në Lezhë dhe Gjirokastër kemi 35 individë të paarsimuar për çdo 1000 banorë, duke u pozicionuar kështu si qarqet më të paarsimuara në shkallë vendi. Më pas renditet Elbasani dhe Vlora me 34 dhe 32 individë të paarsimuar për çdo 1,000 banorë.
Në të kundërt pas Tiranës, Korça dhe Kukësi si duket i kanë kushtuar më shumë vëmendje arsimit duke regjistruar edhe numrin më të ulët të individëve të paarsimuar krahasimisht me popullsitë respektive të secilit qark. Konketisht , në Kukës kemi 1,676 individë që nuk kanë frekuentuar shkollën asnjëherë ndërsa në Korçë ky numër është 4,699. Raporti i individëve të paarsimuar për 1,000 banorë në këto qarqe është 27./Tema