Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrësit bëhet institucioni i parë i arsimit të lartë në vendin tonë dhe Ballkanin Perëndimor që hap një program të ri studimi “Teknologjia kuantike”.
Ky program është risi dhe i përket fushës së teknologjisë së informacionit dhe kompjuterëve kuantikë, por në një shkallë më të avancuar.
Rektori i universitetit Shkëlqim Fortuzi thotë se 15 studentët do të jenë pjesë e një sektori në zhvillim, i cili bëhet gjithnjë e më i prekshëm në ekonominë globale
“Ky program do ti shërbejë studentëve për t’u përgatitur ata që të aftësohen si specialistë të zotë në tregun e punës jashtë dhe brenda. Pjesa më e madhe e stafit akademik, që angazhohet në këtë program janë ekspertë të fushës, që vijnë nga jashtë Shqipërisë, ndërkohë që studimet janë një pjesë në anglisht dhe pjesërisht në italisht”, shpjegon ai.
Si një nga universitetet e para në Evropë që po fut një program të ri studimi në këtë fushë, shkolla ka gjetur një mbështetje të madhe nga universitete dhe bota e biznesit në SHBA.
Qëllim kryesor i këtij programi studimi është të trajnojë specialistë të aftë për t’iu qasur botës së teknologjive kuantike me njohuritë dhe kompetencat që kërkon tregu i punës. /vizionplus.tv