Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit për herë të dytë këtë vit, duke e çuar atë në 2.75%. Norma bazë tashmë është ulur në nivelin ku ndodhej midis nëntorit 2022 dhe marsit 2023, kur cikli i rritjes së normës bazë ende vazhdonte dhe nuk e kishte arritur pikun.

Ulja e mëtejshme e normës bazë të interesit ka gjasa të ndikojë në një rënie të mëtejshme të kostove të huamarrjes në lekë për bizneset dhe familjet.

Zakonisht, ulja e normës bazë reflektohet së pari te yield-et e bonove të thesarit të qeverisë shqiptare. Bonot e thesarit dhe veçanërisht ato 12-mujore përdoren si tregues referues (benchmark) për kreditë me norma të ndryshueshme interesi.

Ulja e normës bazë dhe e yield-eve reflektohet kështu automatikisht në interesat e kredive ekzistuese, përveçse në interesat që bankat ofrojnë për kreditë e reja.

Për më tepër, këtë vit yield-et e bonove 12-mujore kanë arritur marzhet më të ulëta historike mbi normën bazë të interesit. Madje, në ankandin e fundit të muajit tetor, yield-i i bonove 12-mujore u barazua për herë të parë me normën bazë të interesit.

Yield-i mesatar i ponderuar arriti në tetor nivelin 3%, më i ulëti që nga korriku i vitit 2022.

Një situatë e tillë, kur duket se norma bazë po përcillet më shumë se kurrë mbi normat e interesit të kredive, gjasat janë që këto norma interesi të vazhdojnë të ulen. Ulja e normave të interesit është një faktor që potencialisht e bën më tërheqëse huamarrjen dhe e ndikon pozitivisht ecurinë e kreditimit të ekonomisë.

Normat e interesit të kredisë së re për shtëpi në lekë ranë përsëri në muajin gusht, duke prekur nivelin më të ulët që nga viti 2022.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të kredive të reja për blerje banesash nga individët në lekë zbriti në 3.66%, niveli më i ulët për këtë vit dhe njëkohësisht vlera më e ulët e regjistruar që nga shkurti i vitit 2022.

Norma mesatare e interesit të të gjithë portofolit të kredisë, përfshi sasitë gjendje, qëndroi në nivelin 4.56%, po aq sa në korrik dhe njëkohësisht në nivelin më të ulët që prej nëntorit 2022.

Këtë vit, kreditimi po rritet me ritmet më të larta në 15 vitet e fundit. Në fund të shtatorit, portofoli i kredisë ishte në rritje me 12.1% me bazë vjetore. Për 9-mujorin e vitit 2024 sektori bankar ka dhënë gjithsej 280.7 miliardë lekë kredi të re për ekonominë, në rritje me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësim për rritjen e shpejtë të kredisë, veçanërisht në segmentin e pasurive të paluajtshme. Për të balancuar efektin e normave relativisht të ulëta dhe në rënie të interesit, në mesin e këtij viti Banka e Shqipërisë vendosi për herë të parë një shtesë kundërciklike mbi raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.

Banka qendrore ka paralajmëruar rritje të mëtejshme, në rast se kredia vazhdon të rritet me ritme të ngjashme, duke u përpjekur të gjejë balancat e duhura mes kredisë që po rritet shpejt dhe inflacionit që është ndjeshëm poshtë objektivit.

Nga ana tjetër, ulja e normës bazë dhe rënia e yield-eve teorikisht krijon premisa edhe për rënie të normave të interesit të depozitave. Pas uljes së parë të normës bazë nga Banka e Shqipërisë, në muajin korrik, normat e interesit të depozitave të reja në lekë kanë nisur një rënie të lehtë. Në muajin gusht, interesi mesatar i depozitave të reja zbriti në 1.94%, në rënie për të tretin muaj radhazi. / Monitor