Natalya Saprunova, e cila u vlerësua me çmimin e dytë në kategorinë Serial Daily Life të "Istanbul Photo Awards", konkursi ndërkombëtar i fotografisë së lajmeve të organizuar nga Agjencia Anadolu (AA), tha se konkursi është përfaqësim i madh i jetës së përditshme dhe betejave në botë dhe se ajo ishte e nderuar të fitonte çmimin për herë të dytë.
Saprunova, e cila u vlerësua me çmimin e parë në të njëjtën kategori të "Istanbul Photo Awards" në vitin 2022, bëri vlerësime për Anadolu në kuadër të ekspozitës së tretë të vitit të 10-të të "Istanbul Photo Awards" në Bruksel.
Saprunova, e cila mori çmimin e dytë në kategorinë Serial Life Daily me përzgjedhjen e saj fotografike "My Snow Cow", tha se interesimi i saj për fotografinë ka nisur që në fëmijëri. Ajo theksoi se rrëfimi për origjinën e shoqërive përmes fotografive tërhoqi vëmendjen e saj, kështu që në vitet e para në këtë profesion filloi të fotografonte nëpër festivale, të takonte njerëz nga kultura të ndryshme dhe të tregonte historitë e tyre.
"Kur shikoj këto foto, ndjej karakterin shumë të fortë të Evdakia, një kultivuese lopësh nga Yakutia, nga Oymyakon, vendi më i ftohtë i banuar në botë. Më bën shumë përshtypje guximi dhe vendosmëria e saj për të rikthyer këtë lloj lopësh, sepse kjo racë nuk mundi të përshtatej me kushtet klimatike në këtë rajon gjatë periudhës sovjetike dhe ishte zëvendësuar nga një specie tjetër", tha ajo.
Saprunova thotë se donte të përcillte një mesazh me këto fotografi. "Dëshiroj që njerëzit të frymëzohen nga ky shembull, të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të bëjnë atë që duan me të vërtetë pavarësisht nga të gjitha llojet e rrethanave dhe pengesave. Unë dua që njerëzit ta shohin këtë dhe të binden se mund t'i kapërcejnë vështirësitë e tyre personale në jetë", thekson fotografja Saprunova.
- "Është një çmim shumë i rëndësishëm për mua"
Duke u ndalur te çmimet e vlerësuara të denja për të nga juria e "Istanbul Photo Awards", Saprunova tha:
"Ky është një çmim shumë i rëndësishëm për mua. Kur mësova se fitova çmimin edhe këtë vit, ishte një nxitje shumë e fortë për mua që të vlerësohesha nga një juri shumë e fortë. Sepse pashë që në juri kishte disa fotoreporterë, korrespondentë lufte dhe fotoredaktorë. Njohja nga kjo juri është shumë e rëndësishme për mua dhe më inkurajon të vazhdoj punën time. Ky është një mesazh për mua se kam bërë zgjedhje vërtet të mirë në jetën time", tha ajo.
"Të them të drejtën, jam përpjekur të marr pjesë sepse kam dashur të marr pjesë, jo sepse kam dashur të fitoj çmimin. Pjesëmarrja është shumë e rëndësishme sepse kur aplikojmë për një konkurs ne jemi duke përgatitur punën tonë. Ne jemi duke redaktuar dhe përgatitur titrat tona. Na ndihmon të qëndrojmë të organizuar. Për mua, sa herë që hyj në një konkurs është një mundësi për të ripunuar historinë time dhe për të përmirësuar tregimin tim", shprehet ajo.
Fotografja e vlerësuar me çmime u bëri thirrje kolegëve të saj të rinj që të aplikojnë për konkurse të tilla pa asnjë pritshmëri.
- "'Istanbul Photo Awards' përfaqëson atë që po ndodh në botë"
Saprunova bëri edhe vlerësimet e mëposhtme për "Istanbul Photo Awards": "Ka shumë kategori në 'Istanbul Photo Awards'. Është një përfaqësim shumë i madh i lajmeve, jetës së përditshme dhe betejave në botë. Prandaj është një konkurs shumë i rëndësishëm dhe i madh. 'Istanbul Photo Awards' përfaqëson atë që po ndodh në botë. Cilësia e fotografive është shumë e lartë, sport, politikë. Ka shumë kategori që përfaqësojnë realisht jetën e përditshme në mbarë botën, së bashku me kategoritë e tjera të lajmeve".
Duke falënderuar jurinë e "Istanbul Photo Awards" për mbështetjen e tyre, Saprunova tha: "Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Kjo është arsyeja pse jam shumë e nderuar që e fitoj çmimin për herë të dytë. Më bën gjithashtu shumë të lumtur që fotografitë udhëtojnë nëpër botë dhe mund të arrijnë te një audiencë shumë e gjerë".
- Ekspozita mund të vizitohet në Bruksel deri më 18 nëntor
Në Bruksel mbahet ekspozita e tretë e vitit të 10-të të "Istanbul Photo Awards".
Më shumë se 20 mijë aplikime fotografike janë marrë këtë vit për konkursin, ku vlerësohen fotografi në fushën e lajmeve, sportit, mjedisit, portreteve dhe jetës së përditshme. 32 fotografë fituan çmime në 10 kategori në konkurs.
Sony mbështet konkursin, i cili mbahet nën sponsorizimin e komunikimit të Turkcell këtë vit, si sponsor i çmimit, Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) si sponsor ndërkombëtar i ngjarjeve dhe Turkish Airlines (THY) si sponsor i linjës ajrore.
Informacione rreth fotografive fituese të çmimeve mund të gjenden në "istanbulphotoawards.com".
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët në Galerinë SR në Sablon deri më 18 nëntor./aa