“Mes tingujve të dashurisë”, koncerti recital-instrumental i violinistit 16-vjeçar Martin Xuxi ishte një prej eventeve më interesante të pranverës në Gjirokastër.

I vlerësuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, dhe aktualisht duke studiuar në Londër, Martin Xuxi ka sjellë për publikun pjesë të njohura të kompozitorëve Mendelsohn, Pablo de Sarasate, Bah,Sinding etj. I lindur në Sarandë Martini ka filluar të ushtrohen në violinë që prej moshës 5-vjeçare. Ai përfaqëson brezin e katërt të violinistëve në familjen e tij. Në këtë koncert Martini u shoqërua nga gjyshi dhe babai i tij.

“Kemi ardhur tre breza me babain dhe me Martin djalin tonë i cili studion në Londër dhe mbetëm të befasuar nga publiku nga qetësia dhe duartrokitjet”, shprehet Gent Xuxi violinist, babai i Martin Xuxit.

“Unë kam ardhur nga Anglia sepse studioj atje. Kam ardhur me pushime dhe kam dhënë dy koncerte recitale dhe ndihem shumë i emocionuar. Mendoj të rikthehem me një koncert më të madh”, tha Martin Xuxi.

“Fillesat e muzikës klasike në familjen tonë janë që nga im at. Ai në vitet ’30 ka qenë nxënës në Gjirokastër dhe jemi shumë të lidhur me këtë qytet, katër breza. Ai kishte profesor Kristo Konon i ardhur nga La Scala e Milanos dhe ai i mësoi arien dhe operën italiane. Unë vetë kam marrë mësime nga një violinist që kishte ardhur nga Bostoni Polo Xhori dhe pata mundësinë të mësoj më shumë rreth sekreteve të këtij instrumenti të famshëm”, tha Kostaq Xuxi violinist, gjyshi i Martinit.

Koncerti u shoqërua në piano nga pianistja Mimoza Çabeli.

“Ishte një kënaqësi shumë e veçantë ky koncert sot, me publikun e mrekullueshëm dhe Martinin solist në violinë. Një fëmijë shumë i talentuar dhe e kam bërë me shumë dashuri këtë koncert”, tha pianistja Mimoza Çabeli.

Fëmijët Flarens Golemi dhe Nikol Çabeli në piano dhe këngë i dhanë  dinamikë interesante tingujve të dashurisë që ofroi ky koncert instrumental./TopChannel