Fondet për “Ministrinë e Arsimit” në vitin 2025, parashikohet të arrijnë në rreth 60.02 miliardë lekë ose gati 620 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë rezulton se buxheti për sektorin e arsimit është rritur me gati 19% dhe vlerësohet gati sa 3% e PBB-së së vendit.

Por si do të shpërndahen këto para?

Sipas shifrave, rreth 11.5 milionë euro do të shkojnë për planifikimin dhe menaxhimin. Ndërkohë, për arsimin bazë, të mesëm dhe atë universitar do të alokohen rreth 58 miliardë lekë ose gati 586 milionë euro. Fondet për shkencën janë parashikuar në 14.9 milionë euro, ndërsa për zhvillimin e sportit parashikohen rreth 6.3 milionë euro.

Me buxhetin e vitit 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1,000-1,200 klasa dhe laboratorë, ku parashikohet të përfitojnë rreth 20,000 deri në 25,000 nxënës dhe 1,500 deri në 2,000 punonjës mësimorë.

Synohet gjithashtu sigurimi i shërbimit të transportit, si dhe mbulimin e shpenzimeve të transportit për rreth 33,000 fëmijë dhe nxënës që kanë vendbanimin e tyre mbi 2 km nga shkolla.

Një ndër prioritet e tjera për “Ministrinë e Arsimit” është edhe ofrimi i bursave financiare apo kuotë ushqimore/financiare për 3,800-4,000 nxënës me nevoja të veçanta si dhe fëmijëve më me ndikim në uljen e braktisjes shkollore, të nxënësve të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë.

Sipas relacionit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, “Ministria e Arsimit dhe Sporteve” do të vijojë zhvillimin e reformave në arsim, mbështetjen e arsimit bazë, të mesëm të lartë, orientimin e kurikulave ndaj nevojave të tregut të punës dhe modernizimin e tyre.

Rritja e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor, reduktimi i numrit të klasave kolektive, ofrimi i teksteve shkollore falas, përmirësimi i infrastrukturës shkollore, fuqizimi i TIK-ut në arsim si dhe mbështetja financiare janë disa nga prioritet kryesore të buxhetit për vitin 2025./Scan