Buxheti i “Ministrisë së Brendshme” parashikon një fond prej 31 miliardë lekësh në vitin 2025, ose rreth 50 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin 2024. E shprehur në valutë kjo shifër përafrohet në rreth 310 milionë euro. Sipas të dhënave rritja vlerësohet në 20% dhe ky është buxheti më i madh që ka patur ky institucion.
I ndarë sipas zërave, peshën më të madhe e zë buxheti që do të alokohet për Policinë e Shtetit, me rreth 252 milionë euro. Ndërkohë, rreth 25.4 milionë euro janë parashikuar për Gardën e Republikës.
Relacioni i projektbuxhtit për vitin 2025 ndalet në disa prej prioriteteve përmes të cilave “Ministria e Brendshme” synon mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe garantimin e sigurisë së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarit.
Rritja e sigurisë publike dhe sigurisë rrugore përmes patrullimit, rritja e operacioneve policore të hetuara dhe shërbime të kryera mesatarisht në 43,718 operacione, rritja e operacioneve të posaçme konvencionale mesatarisht 241 operacione dhe rritja e operacioneve të forcave speciale për kapjen e autorëve të veprave të rënda kriminale në 250 operacione në vitin 2027, nga 235 operacione që parashikohen në vitin 2024 janë disa nga rezultatet që synohen të arrihen deri në dy vitet e ardhshme.
“Ministria e Brendshme” synon gjithashtu të kontribuojë në përmirësimin e vazhdueshëm të Sigurisë së Personaliteteve Vendas dhe të Huaj, të Objekteve të Rëndësisë së Veçantë nëpërmjet rritjes së kapaciteteve menaxhuese dhe përputhjes me standartet europiane në fushën e sigurisë./Scan