Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Partinë e Lirisë, Florida Ymeri, në një deklaratë për mediet theksoi sot se Shqipëria po përballet me një “problematikë shqetësuese” që prek sistemin shëndetësor, largimin e mjekëve nga vendi.

Ymeri e konsideron “largimin e trurit”, një fenomen që krijon një “rrezik real për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”, duke kërcënuar të ardhmen e shëndetësisë në Shqipëri.

Për të ndaluar këtë trend negativ, Ymeri prezantoi një program të detajuar të Partisë së Lirisë, i cili përmban pesë prioritete për shëndetësinë.

“Përmirësim në sistemin publik Duke programuar rritje të investimeve në sektorin shëndetësor në mesataren e rajonit 6% të prodhimit të brendshëm bruto; 2-fishimi i pagave, përmirësimi i kushteve të punës dhe duke ofruar mundësi trajnimi dhe zhvillimi profesional me kolegët në perëndim, Duke krijuar një infrastrukture shëndetësore më të mirë e duke kthyer në jetë spitalet rajonale, të cilët dita ditës po tkurren”- u shpreh Ymeri.

Ymeri thekson rëndësinë e krijimit të programeve që “inkurajojnë dhe mbështesin mjekët e rinj të punojnë në Shqipëri” duke u ofruar “mundësitë më të mira të zgjedhjes për të kontribuar në vendin e tyre.”

Në përfundim, Ymeri nënvizon rëndësinë e mjekëve si “një nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë”.

“Ne si forcë politike duhet të sigurohemi që mjekët tanë të kenë kushtet dhe mbështetjen që meritojnë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme këtu, në Shqipëri dhe pse jo duke e bërë Shqipërinë një shembull te mire për vendet e rajonit”- tha Ymeri./ata